Fjalë Kyçe

BE-ja kërkon konsensus pozitë-opozitë për dialogun: Duhet të arrihet marrëveshja me Serbinë

BE-ja kërkon konsensus pozitë-opozitë për dialogun: Duhet të arrihet marrëveshja me Serbinë

Shefi i Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomas Szunyog i ka kërkuar Qeverisë së Kosovës që të angazhohet në arritjen e një konsensusi të gjerë me partitë opozitare lidhur me çështjen e dialogut me Serbinë.

Gjatë takimit të Komisionit Parlamentar për Stabilizim-Asociim BE – Kosovë në Kuvend, Szunyog tha se nevojitet konsensus dhe përkushtim për të arritur progres në dialogun Kosovë-Serbi.

“Një konsensus i gjerë politik dhe përkushtimi nevojiten për të arritur progres në dialogun e lehtësuar nga BE-ja. “Ju duhet t’i zbatoni të gjitha marrëveshjet që i keni nënshkruar në të kaluarën dhe duhet të arrihet një marrëveshje gjithëpërfshirëse që është obligtave në mes të Kosovës dhe Serbisë, për arsye se vetëm në këtë mënyrë Kosova mund të ec përpara drejt rrugës për integrim evropian”, tha Szunyog.

Szunyog foli me theks të veçantë për reformat që Kosova duhet t’i bëjë në kuadër të Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit. Ai përmendi edhe arritjen e një marrëveshjeje më të gjerë rajonale, që përfshin edhe krijimin e një tregu të përbashkët.

“Një marrëveshje rajonale më e gjerë, një plan i detajuar për zbatimin e agjendës së gjelbër, agjendës për hulumtim, arsim, kulturë, sport, dhe krijimi i një tregu të përbashkët rajonal nuk janë vetëm masa të prekshme për bisneset dhe bizneset e rajonit, por tregojnë gjithashtu se sa afër janë politikat e BE-së me ato të rajonit”, tha ai.