Fjalë Kyçe

Jetesa me rreziqet e ujërave të zeza dhe pa ujin e pijes

Jetesa me rreziqet e ujërave të zeza dhe pa ujin e pijes

Banorët e lagjes së spitalit, konkretisht ata që jetojnë në rrugën ”Holger Petersen”, tash e një vit po ballafaqohen me rrjedhën e ujërave të zeza, rrezikut për ndonjë sëmundje dhe mungesën e ujit të pijes.

Ujërat e zeza tash e një kohë të gjatë bashkohen me ujin e pijes dhe rrjedhin me metra të tëra edhe nëpër rrugën e asfaltuar, duke e bërë të pakalueshme për këmbësorë. Për banorët në këtë lagje kjo është e papërballueshme, pasi që është mjaftë e vështirë të kalohet për shkak të erës së rëndë.

Ekipi i KosovaPress-it, ka qëndruar mesditën e së dielës në këtë lagje, ku qytetarët mbrapa kamerave thanë se janë munduar të komunikojnë më ujësjellësin por që këta të fundit nuk i kanë marrë parasysh ankesat e tyre.

Banori i kësaj lagje, Halil Canolli tregon, se që një vit kanë probleme me ujin, ndërkaq Ujësjellësi i Rajonal i Prishtinës nuk po merr masa kundrejt këtij problemi.

“Shih sa uji derdhet këndej, kurse ne që 1 vit nuk kemi ujë, jemi mbledh të gjithë qytetarët, edhe bidonat i ka mbush komshiu sepse nuk kemi ujë. Kurse të nderuarit zotërinj nga Ujësjellësi Rajonal i “Prishtinës”, nuk po ndërmarrin masa. Me të thënë të drejtën unë nuk kam qenë këtu, me nënën kanë meqenëse ajo tash nuk është këtu,…dhe e di që po vuan për ujë. Nëna ime i ka thirr shumëherë dhe kanë thënë që duhet ta hapim një kanal, por më shumë nuk di”, ka thënë ai.

Shaban Majkovci thotë se kjo rrjedhje e ujit nuk është nga uji i pijshëm por i kanalizimeve dhe që për banorët e kësaj lagje po paraqet një problem shumë të madh.

Po ashtu, ky i fundit tregon se banorët e kësaj lagje nuk po kanë ujë që nga ora 9:30 e mëngjesit, por që janë munduar të flasin me ujësjellësin e që këta të fundit nuk u kanë dhënë ndonjë sqarim.

“Kjo rrjedhje e ujit paraqet një problem jashtëzakonisht të madh, megjithëse nuk është edhe ujë u pijshëm por është ujë i kanalizimeve, të pengon edhe në erëra, por shteti si shtet nuk ndërmerr masa. Sa jam në dijeni unë janë ankuar por nuk kanë ndërmarrë masa asgjë. Nuk marrin masa këta se me qenë që marrin masa nuk i lënë kështu, vijnë e vendosin një gyp edhe e lënë të hapur, as pucetat nuk i mbulojnë, duhet banorët me dal për t’i mbuluar pacetat e tyre që i lënë. Sa për ujësjellës që më së pari ujë gjithë ky banorë që është ujë nuk ka, prej orës 9:30 është ndal uji dhe as kurrfarë sqarimi nuk japin se pse është ndal e leje më për këto që janë imtësia për ujësjellësin”, ka shtuar Majkovci.

Më tutje për këtë problem flet edhe Ymer Gashi i cili tregon se kjo pjesë e uji po u pengon banorëve në këtë lagje dhe që do ishte mirë të rregullohet.

“Përmbi një vit e ka që e kemi këtë problem me këtë ujë këtu, tash që po na pengon si ujë por është edhe i kanalizimit, i vjen edhe era edhe plus nuk kemi shtypje, nëse ish rregulluar sa më shpejt kish qenë më mirë, ndoshta këta i dinë mundësitë e veta por duhet me iu rregulluar se jemi kogja njerëz, është rrugë kryesore kjo, kish qenë mirë me u rregulluar”, potencon ai.

Kurse, Arjeta Mjeku nga K.R.U “Prishtina”, thotë se në rrugën “Holgen Petersen”, ekipet e mirëmbajtës së rrjetit të kanalizimit kanë intervenuar, e që kjo e fundit fajëson qytetarët për bllokimin e kanalizimit.

Mjeku flet edhe për rrugën ”Malush Kosova”, duke thënë se do të intervenojnë javën e ardhshme me një gyp kanalizimi me gjatësi prej 60 metrash.

“Për kanalizimin ne rrugën ‘Holgen Petersen’, ekipet e mirëmbajtjes së rrjetit të kanalizimit kanë intervenuar me dhjetëra herë, derisa ajo është pronë private ku, një qytetar ka një ËC brenda oborrit të tij që hedh gjithçka dhe e bllokon kanalizimin. Këtë e dinë edhe banorët. Po ashtu, në rrugën ‘Malush Kosova’ , kontraktori ynë do të intervenojë në ndërrimin e një gypi kanalizimi me gjatësi prej 60 metra, javën e ardhshme. Që të dyja rastet nuk janë përgjegjësi e KRU “Prishtina”, por enkas për hir të qytetarëve po intervenojmë kudo që kemi mundësi. Komuna ka dhënë leje për ndërtime të larta dhe investime në infrastrukturë nuk ka bërë asnjë. Gjithçka që po e bëjmë aty ku nuk është përgjegjësi e jona, po e realizojmë me mundësitë tona për hir të konsumatorit”, thotë ajo