4 mijë e 164 të rinj kanë aplikuar deri më sot për të qenë pjesë e Policisë së Kosovës në konkursin që do të jetë i hapur deri më datën 16 nëntor.
Ndryshe nga herët e tjera në këtë konkurs të interesuarit mund të aplikojnë online.
“Deri më tani kemi pranuar 4146 aplikime të cilat janë duke u proceduar në sistemet tona të informacionit.”, kanë thënë nga Policia.
Në përgjigjen për Reporteri.net kanë thënë se procesi i aplikimit online për pranimin e zyrtarëve policorë aplikohet për herë të parë në Policinë e Kosovës.
“Të gjitha informatat në lidhje me konkursin e shpallur duke përfshirë edhe udhëzuesin e aplikimit online janë publikuar ditën e shpalljes së konkursit në faqen zyrtare të Policisë së Kosovës. Procesi i aplikimit është shumë i thjeshtë dhe nuk lejon regjistrim të të dhënave jo logjike në fusha specifike. Gjithashtu, disa të dhëna të aplikimit plotësohen vetvetiu nga sistemi bazuar në numrin personal për të lehtësuar edhe më shumë këtë proces aplikimi.”, është thënë në përgjigjen e Policisë së Kosovës.
Ata kanë treguar edhe për ankesat që kanë marrë deri më tani për mënyrën e aplikimit.
“Ankesat kryesore të pranuara deri më tani kanë të bëjnë me: Mos plotësimi i kritereve të moshës; Bashkëngjitja e dokumentacionit të gabuar(dokumente jo adekuate, jo valide, fotografi jashtë standardit të kërkuar, dokumentacioni i palexueshëm, etj.);Prezantimi i të dhënave të gabuara dhe problemet me rastin e hapjes së llogarisë në eKosova (dhënia e informatave jo të sakta gjatë hapjes së llogarisë).”, kanë treguar nga Policia.
Për të adresuar ankesat e cekura më lartë Policia e Kosovës ka vënë në dispozicion numra kontaktues dhe staf të specializuar, të cilët janë në dispozicion për të trajtuar dhe zgjidhur të gjitha shqetësimet e adresuara nga të interesuarit në lidhje me konkursin në fjalë.