Fjalë Kyçe

Osmani i bën thirrje Amerikës për luftimin e ndikimit rus e kinez në Ballkan

Osmani i bën thirrje Amerikës për luftimin e ndikimit rus e kinez në Ballkan

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, këtë të mërkure është takuar me zyrtarë të Këshillit Kombëtar të Sigurisë së Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe me zyrtarë të Departamentit të Shtetit.

Osmani, në Këshillin e Sigurisë së Shtëpisë së Bardhë, takoi zëvendës këshilltarin për siguri kombëtare, Jonathan Finer, drejtoreshën e lartë për Evropën, Amanda Sloat dhe drejtoreshën për Ballkanin dhe Evropën Qendrore, Robin Brooks.

Në këtë takim, Osmani theksoi rëndësinë e marrëdhënieve Kosovë – SHBA dhe ndikimin pozitiv që kjo aleancë ka, duke thënë se sukseset e Kosovës erdhën si rezultat i vullnetit të fortë dhe qëndrueshmërisë së popullit të saj, por edhe shkaku i investimi të rëndësishëm të SHBA-ve.

“Zyrtarët e Këshillit të Sigurisë theksuan se presidenti i SHBA-ve është personalisht i përkushtuar ndaj Kosovës dhe se Kosova ka mbështetje të fortë nga administrata e Presidentit Biden. Ata shprehën mirënjohjen e tyre të thellë për Republikën e Kosovës që ka pritur afganët dhe për faktin që është vendi i parë në botë që e ka bërë këtë”, thuhet në komunikatën e presidencës.

Presidentja Osmani u takua edhe me Ndihmës Sekretaren e Shtetit, Karen Donfried dhe Zëvendës Ndihmës Sekretarin kryesor, Dereck Hogan, ku të dy palët vlerësuan raportet mes Kosovës e Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe partneritetin e thellë mes dy vendeve.

“ Presidentja Osmani theksoi se Kosova mbetet një prej sukseseve kryesore të politikës së jashtme të SHBA-ve. Duke qenë gjithnjë të udhëhequr nga vlerat dhe parimet e promovuar nga SHBA-të, ajo konfirmoi se institucionet në vend janë të përkushtuara për promovimin e sundimit të ligjit, mbrojtjen dhe avancimin e demokracisë si dhe zhvillimin ekonomik, i cili do të krijojë perspektivë për qytetarët e Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Osmani ka përmendur edhe zhvillimet e fundit në rajon, duke potencuar tendencat destabilizuese të Serbisë, por edhe prezencën e, siç e quajti ajo, të rrezikshme të Rusisë e Kinës.

“Në këtë aspekt, ajo bëri thirrje për mbështetje të SHBA-ve në luftimin e këtij ndikimi të rrezikshëm dhe angazhimin për ruajtjen e paqes dhe stabilitetit në rajon”, tha Osmani.

Më tej ,ajo tha se Kosova ka përkushtim të plotë për angazhim aktiv në dialogun Kosovë – Serbi, duke përmendur fjalët e presidentit Biden, se dialogu duhet të jetë i përqendruar në njohje të ndërsjellë.

“Presidentja Osmani theksoi se e ardhmja euro-atlantike e Kosovës mbetet përherë objektiv strategjik, ndaj  potencoi se në këtë drejtim Kosova sërish ka nevojë për mbështetjen e SHBA-ve drejt konsolidimit të shtetësisë dhe subjektivitetit ndërkombëtar të Republikës”.

Nga këto takime, Osmani mori konfirmim për mbështetjen e palëkundur të SHBA-ve dhe përkushtimin aktiv për arritjen e synimeve të Kosovës.