Plumbat e kallashnikovit morën 2 jetë të tjera mbrëmjen e djeshme në Tiranë. Erigers Mihasi, 32-vjeç, u ekzekutuar në një atentat mafioz në zonën e Astirit, teksa nga breshëria e plumbave gjeti vdekjen edhe miku i tij Armand Dumani, 26 vjeç.
Mihasi një emër i njohur për policinë, la pas tre fëmijë jetim. Teksa gjithë kohën kishte jetuar ditë të trazuara i përfshirë në ngjarje kriminale dhe në luftën mesa bandave, duket se së fundmi Mihasi nuk ruhej, ku as në udhëtimin e tij të fundit në Astir, policia nuk gjeti asnjë armë apo send të paligjshëm në automjet.
Së fundmi mësohet se Mihasi po tentonte që të ndryshonte stilin e tij të jetesës, duke dashur të largohet nga rruga dhe për t’ju përkushtuar besimit, rrugës së drejtë dhe larg krimeve. Mihasi kohët e fundit kishte filluar të frekuentonte xhamitë në Tiranë. Përmes një postimi Xhamitë e Tiranës tregon se 32-vjeçari kishte filluar të pendohej për gabimet e tij dhe donte të linte larg të shkuarën e errët.
“Te Zotit jemi dhe vetëm tek Ai një ditë padyshim do të kthehemi! Mbrëmë ia dorëzoi shpirtin Krijuesit të tij Erigers Mihasi i cili u vra në një atentat tek Astiri bashkë me shokun e tij. Erigersi sapo kishte filluar të frekuentonte xhaminë duke ju kthyer rrugës së Zotit dhe duke lënë pas tij të kaluarën e errët, mirëpo deshi Allahu ta merte nga kjo botë. Namazi i Xhenazes do të falet sot në varrezat e Sharrës në orën 14:30. “Të gjithë njerëzit janë gabimtarë, po më i miri prej tyre është ai që pendohet te Zoti i tij.” (Profeti Muhamed a.s) Zoti ia pastë pranuar sakrificën për t’iu kthyer rrugës së mbarë, Zoti ju dhëntë durim familjarëve të tij”, shkruhet në postimin e Xhamive të Tiranës.