Deputetja e PDK-së, Blerta Deliu – Kodra, ka reaguar pas debatit të ashpër sot mes saj dhe ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu, në Kuvend, duke thënë se pa qëllim e ka cilësuar një rast që ndërlidh atë me familjarët e saj, të cilët siç ka thënë, janë akuzuar për terrorizëm.
Deliu-Kodra ka shpjeguar se kur e ka përmendur këtë të premten në Kuvend, nuk e ka thënë e as menduar se ata janë “terroristë”.
“Ky pushtet arrogant për nga natyra, tashmë ka marrë formë edhe përmbajtje të hapur, me sulme e shpifje, si mënyra e vetme për t’iu shmangur ballafaqimit të njëmend me fakte e argumente, pikërisht si mënyrë për të amnistuar dështimet dhe paaftësinë. Në rrethana të këtij diskursi të nxitur nga pushteti, duke u ballafaquar me shpifjet e Ministres Haxhiu, kam cilësuar pa qëllim një rast që ndërlidhë Ministren Haxhiu me familjarë të saj, të cilët nga një entitet i huaj juridik janë akuzuar gjoja për terrorizëm. As nuk kam thënë e as nuk kam menduar dhe as nuk besoj që ata janë “terroristë””, ka shkruar ajo në Facebook.
Deliu-Kodra ka shprehur keqardhjen për këtë deklaratë të saj, duke thënë se ajo mund të ketë lënduar personat në fjalë, familjet e tyre apo çdo kënd tjetër.
Ajo i ka quajtur irracionalitet përpjekjet e pushtetit për ta ndërlidhur deklaratën e saj me kauzën dhe luftën e UÇK-së.
“Ndjej vërtetë keqardhje, që kjo deklaratë e thënë në kontekst të ballafaqimit me shpifjet e Ministres Haxhiu, të mund të ketë lënduar personat në fjalë, familjet e tyre apo çdo kënd tjetër në çfarëdo forme, dhe keqardhja ime është e sinqertë, sepse në asnjë ç’rast nuk ka qenë qëllim i imi, të ketë këso cilësimesh. Në anën tjetër, përpjekja për ta përdorur këtë diskurs nga reagimet e pushtetit arrogant, si instrument për të bërë çfarëdo cilësimi e ndërlidhje që lëndon kauzën tonë dhe luftën e drejtë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës brenda këtij konteksti, me mua si politikane dhe deputete, janë irracionalitet. Unë, para se të jem deputete, i takojë dy familjeve Kodra (Prekaz) dhe Deliu (Rezalle), të cilat kanë kontribuar dhe dhënë shumë për vendin dhe lirinë tonë. Jam e vetëdijshme se kurrë nuk mund t’u dalim hak atyre që kanë dhënë gjithcka për këtë liri. Përulja dhe respekti shkon për të gjithë ata që nuk kanë kursyer asgjë për liri”, përfundon reagimi i saj.