Kandidati i PDK-së për kryetar të Dragashit, Shaban Shabani, ka thënë se vendimi i sotëm i Panelit Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) për të anuluar votat e diasporës për rundin e dytë të zgjedhjeve për kryetar në këtë komunë, ka qenë i pritshëm për PDK-në.
“Vendimi i PZAP-së për ne ka qenë i pritshëm pasi ka pasur fakte dhe argumente për një përfundim të tillë dhe ne kemi besim të plotë tek PZAP-ja. Nuk jam i befasuar në këtë drejtim. Argumentet kryesore ishin se dyshimet u ngritën fillimisht nga mediat dhe normalisht në ditën e numërimit në QNR kishte dyshime se pakot ishin të njëjta, shkrimin e kishin të njëjtë. KQZ-ja që përbëhet nga gjithë spektri politik u pajtuan për këtë dhe ne e kemi dërguar ankesën përmes avokatit të autorizuar”, ka thënë Shabani në “Interaktiv” të KTV-së.
Ai ka shtuar se nëse Gjykata Supreme pas kësaj, vendos në favor të kundërkandidatit të tij nga LDK-ja, Bexhet Xheladini, PDK-ja do ta pranojë vendimin.
“Ne kur e kemi dorëzuar ankesën e kemi bërë publike se do t’u drejtohemi institucioneve. Çdo vendim i PZAP-së len të drejtën për drejtim të Supremja, nëse ajo vendos ndryshe patjetër se do ta respektojmë. Nuk është e logjikshme që unë të mos i përfilli vendimet e institucionit. Kur të shteren të gjitha mundësitë, nëse vendimi përfundimtar është se kandidati i LDK-së do të certifikohet si fitues i zgjedhjeve atëherë për ne do të jetë i pranueshëm”, ka thënë Shabani.
Pas vendimit të PZAP-it që të anulojë votat e diasporës të rundit të dytë të zgjedhjeve në Dragash, Shaban Shabani është 17 vota në epërsi ndaj kundërkandidatit të tij, Bexhet Xheladini.
Sipas rezultateve preliminare të së dielës nga KQZ-ja, në Dragash udhëhiqte Shaban Shabani i PDK-së me 5.648 vota, 47 më shumë se kandidati i LDK-së, Bexhet Xheladini. Por pas numërimit të votave nga diaspora, u përmbys rezultati pasi Xheladini kishte marrë 244 vota, ndërsa Shabani vetëm 54.