Fjalë Kyçe

VV në Prizren: Do të ankohemi për rezultatin

VV në Prizren: Do të ankohemi për rezultatin

Dega e Lëvizjes Vetëvendosje në Prizren, ka reaguar pas certifikimit të rezultateve nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve.

Përmes një postimi në Facebook, Lëvizja Vetëvendojse ka kërkuar nga organet kompetente të hetuesisë që të verifikohen nënshkrimet në librin e votuesve.

“Shtabi ynë zgjedhor është në përpilim të ankesave, bazuar në ngjarjet që kanë ndodhur në ditën e votimit. Sipas dëshmive ka pasur presione ndaj votuesve në hyrjet e vendvotimeve, tendencë për ndryshimin e vullnetit qytetar në javën e fushatës përmes shpërndarjes së parave dhe të mirave materiale, por edhe kërcënime ndaj komuniteteve në Prizren dhe në disa regjione të Prizrenit.

Kërkojmë nga organet kompetente të hetuesisë që të gjitha këto raste të hetohen dhe që të verifikohen nënshkrimet në librin e votuesve.”, thuhet në reagim.

Postimi i plotë:

Të dashur qytetarë të komunës së Prizrenit,

Derisa jemi në fazën përfundimtare të publikimit të rezultateve, dëshirojmë t’i shprehim falënderimet tona për besimin dhe për votën e dhënë më 14 nëntor për kandidatin e Lëvizjes VETËVENDOSJE!.

Shtabi ynë zgjedhor është në përpilim të ankesave, bazuar në ngjarjet që kanë ndodhur në ditën e votimit. Sipas dëshmive ka pasur presione ndaj votuesve në hyrjet e vendvotimeve, tendencë për ndryshimin e vullnetit qytetar në javën e fushatës përmes shpërndarjes së parave dhe të mirave materiale, por edhe kërcënime ndaj komuniteteve në Prizren dhe në disa regjione të Prizrenit.

Vonesa e raportimit të rezultateve nga disa vendvotime, ku pjesëmarrja deri në orët e vona ka qenë shumë e ultë dhe pastaj kemi pasur një rritje të madhe të numrit të votuesve si dhe dëshmitë për nënshkrimet e votuesve të cilët nuk kanë qenë në Kosovë në ditën e votimit jep indikacione që është devijuar vullneti qytetar.

Kërkojmë nga organet kompetente të hetuesisë që të gjitha këto raste të hetohen dhe që të verifikohen nënshkrimet në librin e votuesve.

Përfundimisht raportimet e qytetarëve për ditën e zgjedhjeve dhe për procesin zgjedhor, lënë hapësirë për shumë dyshime që duhet të hetohen nga organet kompetente.

Për hir të demokracisë dhe mbrojtjes së vullnetit qytetar, të gjitha rastet e përmendura duhet të hetohen, ashtu që mos të vihen në pikëpyetje themelet e demokracisë në Republikën e Kosovës.