Përmes një video të përcjellë në redaksinë e lajmeve denoncohen 3 persona të maskuar dhe armatosur që sikurse shihet kanë hyrë në ambientet e një lokali.
Edhe pse ende nuk ka një konfirmim nga policia për këtë ngjarje, burime bëjnë me dije ngjarja ka ndodhur në një lokal në rrugën e vjetër Lezhë-Milot.
Nga pamjet vërehet se këta 3 persona kanë kërcënuar katër persona të tjerë që ishin në një tavolinë.
Referuar pamjeve të kamera të sigurisë ngjarja ka ndodhur pas mesnatës të datës 13 nëntor ku duken tre personat me automatik në krah dhe njëri prej tyre u afrohet të rinjve dhe u kërkon mjetet e identifikimit.
Pasi shohin identitetin e tyre personat e maskuar dhe të armatosur dalin nga lokali dhe largohen.
Ndërkohë në Policinë e Lezhës mësohet se nuk ka pasur asnjë denoncim në lidhje me rastin, ndërsa nuk dihet se cili mund të ketë qenë qëllimi i tre personave të maskuar dhe armatosur, pasi brenda lokalit nuk kane marre asgjë.
Ajo çka duket nga pamjet hedh dyshimet se kemi të bëjmë me një grup vrasësish me pagesë që kanë dalë në kontroll të shënjestrës së tyre, sepse pasi kontrollojnë kartat e identitetin të rinjve largohen nga lokali, ndoshta për vijuar kontrollet në një tjetër ambient.
Burime për Report Tv bëjnë me dije se janë shoqëruar 3 persona, mes tyre edhe pronari i lokalit si dhe punonjësit, e po merren në pyetje në lidhje me rastin. Po ashtu janë shpallur në kërkim edhe personat që kanë qenë të pranishëm në tavolinë.