Fjalë Kyçe

Ikballe Huduti thotë se postimet e saja në “Facebook” nuk kishin qëllim për shtytje në terrorizëm

Ikballe Huduti thotë se postimet e saja në “Facebook” nuk kishin qëllim për shtytje në terrorizëm

Prishtinë – E akuzuara për shtytje në terrorizëm Ikballe Berisha-Huduti gjatë dhënies së mbrojtjes së saj, të hënën, në Gjykatën Themelore në Prishtinë ka thënë se postimet e saj në rrjetin social “Facebook” nuk kanë pasur qëllime për shtytje në terrorizëm.

Berisha-Huduti duke u përgjigjur në pyetjet e mbrojtëses së saj, avokates Kosovare Klemendi, ka deklaruar se teksti i postuar nga ajo në rrjetin social “Facebook”, nuk është mesazh, as opinion, as thirrje për ndonjë veprim, as nxitje për kryerjen e veprave terroriste, por sipas saj, thjesht është një përkthim dhe përshkrim gazetaresk, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Tutje, ajo ka thënë se me profesion është letrare dhe psikologe, ndërsa sipas saj, puna që e bën kryesisht shtrihet në fushën e bamirësisë dhe kulturës, si dhe ka shtuar se nga vitit 2000, është themeluese e disa organizatave jo qeveritare, e momentalisht është drejtoresh në Institutin Kërkimor Ndërkombëtar Naim Frashëri.

Ajo ka thënë se, për shkak të këtij rasti tani është e pa punë dhe është në një gjendje shumë të ultë ekonomike, dhe me një autoritet të abuzuar.

Kurse, lidhur më postimin e saj në rrjetin social “Facebook”, si në diapozitiv të aktakuzës, ka pohuar se e ka shkruar atë tekst dhe e ka përkthyer, duke qenë e ndikuar nga lajmet e CNN, BBC dhe Al Jazeera.

“Është e saktë që e kam postuar këtë, dhe kur e kam shkruajtur këtë postim unë kam qenë e ndikuar nga lajmi ndërkombëtar CNN BBS, Al Jazeera, etje si edhe ato vendore”, ka thënë e akuzuara Berisha-Huduti.

Ajo ka thënë se tekstin postuar në “Facebook”, për të cilin po akuzohet, e kishte marr nga një postim në gjuhën angleze dhe një video në gjuhën arabe, dhe e kishte përkthyer në gjuhën shqipe.

“Këtë video e kam marr nga rrjetet sociale dhe unë jam keqkuptuar se kinse unë e kam thënë këtë citat, nga gazetarët, nga prokurori etj, dhe e kam përthyer nga gjuha arabe dhe angleze në gjuhën shqipe”, ka shtuar e akuzuara Berisha-Huduti.

Ndërsa në pyetjen se cili ka qenë qëllimi i përkthimit dhe postimit të këtij teksti, e akuzuara Berisha-Huduti ka deklaruar se nuk ka pas qëllim, por vetëm për dhembshuri dhe humanitet.

“Qëllim s’kamë pas, kurse motivi ka qenë i ardhur prej dhembshurisë dhe asaj humanes që mos të qajnë as nënat amerikane se i kanë pas djemtë ushtar në Irak e as nënat irakiane, pra, ky ka qenë në realitet motivi, se ne shkrimtarët për të vepruar në lëmin tonë ne kërkojmë motiv, nuk kemi qëllim”, ka thënë e akuzuara Berisha-Huduti.

Kurse lidhur me komunikimin me Bujar Rugova dhe Mirlinda Haliti në ‘WhatsApp’, “se ka ardhur koha e imam Mehdiut do të përzgjedhin 113 janë ushtarë ( lider), që imam Mehdiu ka me caktuar nëpër botë, 50 prej tyre janë femra, ishalla të jam unë, por se kamë atë nafakë”, nuk e ka mohuar, si dhe ka shtua se beson në imam Mehdiun.

“Ju nuk jeni të njoftuam për Imam Mehdiun, por unë kam njohur nga burimet fetare, kuranore, dhe kjo është e drejta ime e besimit në një shtet demokratik me kushtetutë laikë për të cilën të drejtë kushtetuta ma jep të drejtën e besimit dhe manifestimit të bindjes sime fetare”, ka thënë e akuzuara Berisha-Huduti.

Tutje, ajo ka thënë se thënia “ka ardhur koha e imam Mehdiut do të përzgjedhin 113 janë ushtarë (lider) që imam Mehdiu ka me caktuar nëpër botë, 50 prej tyre janë femra”, është e shkruar në disa literatura.

Kurse në pyetjen pasuese se e njëjta a i takon ndonjë sekti, ka thënë se nuk i takon asnjë sekti synit, as shiit, apo ndonjë sekti tjetër.

“Nuk i takoj asnjë sekti synit, as shiit, apo ndonjë sekti tjetër, por unë e ndjej vetën dhe besoj që jam mysliman e pasuese e familjes profetike, ndërsa për mua synimi shiiti nuk kanë ekzistuar në kohën profetike, pra për mua janë vetëm doktrina politike”, ka thënë e akuzuara Berisha-Huduti.

Ajo ka thënë se shkrimet letrare dhe përkthimet i ka bukë, ndërsa, ajo ka mohuar se është paguar nga ndokush lidhur me postimin e saj të këtij teksti në rrjetin social “Facebook”.

Seanca e radhës në këtë rast pritet të mbahet më 26 nëntor 2021, ku pritet të mbahet fjala përfundimtare.

Ky rast fillimisht i ishte ndarë në punë gjykatëses Albina Ramaj–Shabani, mirëpo pas rritjes së numrit të gjykatësve në këtë departament, ky rast i është caktuar gjykatësit Vesel Ismajli.

Sipas aktakuzës së përpiluar me 30 shtator 2020, Ikballe Berisha-Huduti akuzohet se me 4 janar 2020, përmes rrjetit social “Facebook” kishte postuar thirrje me përmbajtje kërcënuese, duke bërë nxitje për hakmarrje pas vrasjes nga ushtria Amerikane e Qassem Solejmani-gjeneral dhe udhëheqës i gardës revolucionare të Iranit dhe gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi.

Në aktakuzë thuhet se e akuzuara kishte postuar tekstin “Populli Irakian doli në rrugët e Irakut menjëherë pas krimit amerikan, për të dënuar ashpër padrejtësinë që iu bë dy figurave eminente në Irak e Iran dy gjeneralët të tyre Gjeneral Sylejmani dhe Gjeneral Ebu Mehdi Muhendisi. Zoti i dasht durimin ngase të mbysësh Zotin e shtëpisë i ke mbytë tërë anëtarët e shtëpisë, e pastaj hakmarrja është obligim, por nuk ka kufi”.

Për këtë postim, PSRK po pretendon se e njëjta kishte shkaktuar rrezikun që një ose më shumë vepra të tilla të kryhen.

Më këtë veprim, PSRK-ja po e akuzon atë për kryerjen e veprës penale “Shtytja për kryerjen e veprave terroriste”, nga  neni 134 i Kodit Penal të Republikës së Kosovës.