Fjalë Kyçe

Gjykata lëshon urdhërarrest ndaj të akuzuarit për mashtrim me vizë gjermane

Gjykata lëshon urdhërarrest ndaj të akuzuarit për mashtrim me vizë gjermane

Rahovec – Mungesa pa arsye e të akuzuarit Bayram Mazrek, ka bërë që të dështojë seanca e paraparë për të martën në Gjykatën Themelore në Gjakovë, dega në Rahovec. Ndaj tij, gjykata do të lëshojë urdhëarrest.

Mazrek, po akuzohet se gjatë muajit prill të vitit 2017, ka mashtruar të dëmtuarin Shefki Beqiri, duke i premtuar marrjen e vizës gjermane, për djalin e tij, raporton “Betimi për Drejtësi”.

Lidhur me mungesën e të akuzuarit Mazrek, gjykatësi Ilir Rashkaj, tha se gjykata ka dërguar ftesë të rregullt, por i njëjti nuk i është përgjigjur ftesës.

Në mungesë të tij, gjykatësi Rashkaj, për të siguruar praninë e palës për seancën e radhës tha se do të lëshojë urdhërarrest.

Në këto rrethana, seanca u shty dhe e radhës u caktua më 14 dhjetor 2021.

Ndryshe, në aktakuzën e Prokurorisë Themelore Gjakovë të ngritur me 11 shtator 2019, Bayram Mazrek nga Mamusha, akuzohet se në ditë të pacaktuar të muajit prill të vitit 2017, në orë të pacaktuar gjatë ditës, në Rahovec, përmes paraqitjes së rrejshme të fakteve dhe me qëllim që vetes t’i sjell përfitime paurore të kundërligjshme, mashtron të dëmtuarin Shefki Beqiri.

Sipas aktakuzës ngjarja ka ndodhur në atë mënyrë që i akuzuari me anë të mashtrimit nxit të dëmtuarin që të kryejë veprim në dëm të pasurisë së tij, në atë mënyrë që i pandehuri i premton të dëmtuarit se do t’ia rregullojë vizën gjermane për djalin e tij, për të cilin shërbim nga i dëmtuari kërkon dhe merr para në vlerë prej 1 mijë euro para të gatshme.

Tutje, në aktakuzë thuhet se pas kësaj i akuzuari nuk i lajmërohet dhe nuk ia nxjerr vizën e premtuar, me këtë rast të dëmtuarit i ka shkaktuar dëm material në vlerë prej 1 mijë euro.

Me këtë, ai ngarkohet se ka kryer veprën penale të “Mashtrimit”, nga neni 323, pargrafi 1 të Kodit Penal, ku kryesi dënohet me gjobë dhe me burgim prej tre muaj deri në pesë vjet.