“Garantimi i një teksti abetareje me cilësi të lartë, është detyrimi ynë”.
Kështu e ka quajtur unifikimin tërësor të abetareve, ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi, gjatë fjalës së saj për prezantimin e nismës “Një gjuhë, një abetare”.
Në fjalën e saj, Kushi bëri të qartë se 110-vjetori i pavarësisë, do ta gjejë jo vetëm Shqipërinë, por edhe Kosovën apo diasporën, me një tekst unik abetareje.
Një konkurs, pritet të hapet në dhjetor të këtij viti, mbi ngritjen e grupit të punës.
Po ashtu, në këtë muaj, do të ketë edhe një marrëveshje mes Shqipërisë dhe Kosovës, për të unifikuar abetaren e gjuhës shqipe.
Ky vendim sipas ministres, është i drejtë dhe i duhur, pasi kështu i mundëson të gjithë fëmijëve një fillim të barabartë dhe metodologji të njëjtë në hapat e parë shkollorë.
Për kryetaren e Kuvendit të Shqipërisë, Lindita Nikolla, ky është një çast me shumë rëndësi. Mbi të gjitha, për nxënësit jashtë kufijve shqiptarë.
Sipas saj, zhvillimi që kjo nismë sjell, shkon për të gjithë fëmijët shqiptarë në diasporë.
Punë për të, duhet bërë si nga Shqipëria, ashtu edhe nga Kosova, për t’i dhënë fëmijëve abetaren e merituar.
Ndërsa, mbi 22 nëntorin, ditën e Alfabetit, Nikolla bëri me dije se i ka kërkuar Qeverisë ta shpallë atë ditë kombëtare.
Kosovë- Shqipëri
Një marrëveshje e tillë qe paralajmëruar edhe në mbledhjen e përbashkët të dy qeverive Kosovë- Shqipëri.
Ishte vetë kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ai i cili shprehu vullnetin fillestar për këtë nismë. Më pas, ishte ministrja Kushi dhe homologia e saj, Arbërie Nagavci, të cilat përforcuan thirrjen e këtij projekti. Ato u zotuan se do ta bënin të mundur brenda vitit 2022 këtë gjë.
Nëpërmjet unifikimit të saj, shmanget kështu edhe nevoja për plotësim me libra të ndryshëm. Po ashtu, sjell edhe lehtësi në mësimdhënie, pasi të gjithë mësuesit do të kenë të njëjtin burim dijesh për fëmijët.
Nga vetë stafi mësimor, ky është quajtur një hap shumë me rëndësi për edukimin e fëmijëve, shkruajnë mediat në Shqipëri.