Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar që disa nga masat e ndërmarra nga Qeveria për respektim të masave kundërCOVID-19, të largohen dhe të ketë më shumë ekipe mobile nëpër fshatra.
Sazan Ibrahimi, drejtor i AKK-së tha se përkrahin masat kundërCOVID-19, por po kërkojnë heqjen e orës policore gjatë festave të fundvitit.
“Asociacioni i Komunave të Kosovës, së bashku drejtorët komunalë i kanë përkrahur dhe do t’i përkrahin të gjitha masat që kanë dhënë rezultat dhe japin rezultat, sa i përket parandalimit të përhapjes së COVID-19, por në disa raste Asociacioni i Komunave të Kosovës ka kërkuar nga niveli qendror që masat, të cilat po i ndërmerr. Kemi edhe argumente shkencore, siç është çështja e orës policore dhe bartja e maskës për personat të cilët lëvizin vetëm në ambient të jashtëm apo për personat që janë të imunizuar”.
“Gjithashtu gjatë festave të fundvitit masa e orës policore të largohet në tërësi, por kërkojmë edhe nga diaspora që besojmë se do të vijë në masë të jashtëzakonshme, që të vijnë të vaksinuar, në mënyrë që edhe ne të kemi një fundvit të suksesshëm dhe ta festojmë në mënyrë të dinjitetshme. Besojmë që vetëdija e qytetarit në Kosovë, por edhe jashtë saj, është në nivel të tillë që të vaksinohen apo të imunizohen, sepse po shihet që vetëm vaksinimi apo imunizimi është arma e vetme që po lufton parandalimin e përhapjes së COVID-19”, tha Ibrahimi për kp.
Ibrahimi ka thënë se ka një muaj që nuk kanë pasur takime me nivelin qendror kundrejt masave të pandemisë e që shpreson se pas kthimit të ministrit të Shëndetësisë Rifat Latifi të kenë një të tillë.
Më tutje ai shton, se sipas tij, për situatën e pandemisë, duhet të ketë mobilizim të ekipeve mobile nëpër fshatra dhe në qytete për personat e pavaksinuar.
Gjatë ditës së sotme kryeministri Albin Kurti dhe ministri i Shëndetësisë Rifat Latifi kanë treguar për masat e reja antiCOVID që do të hyjnë në fuqi nga dita e nesërme, ku në mesin e tyre vazhdon të mbetet në fuqi ora policore.