Sot, në orët e pasdites, i paraburgosuri Faruk Iseni, 34-vjeçar, dyshohet se ka bërë vetëvrasje në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, duke u vetëvarur në dritaren e banjos së Qelisë. Ai po mbahej në paraburgim për grabitjen e mbi 20 mijë eurove. Shërbimi Korrektues i Kosovës njoftoi se viktima në vazhdimësi ka pasur probleme shëndetësore të natyrës mendore, për çka është trajtuar në vazhdimësi nga mjeku i burgut, psikiatri, psikologu.
Avokati i familjes Iseni, Nexhat Elshani, i cili është autorizuar për t’u marrë me këtë rast tha për Sinjalin se pavarësisht kësaj gjendje, gjykata i ka refuzuar kërkesat e tij për ekzaminim mjekësor dhe zëvendësim të masës së sigurisë.
Elshani deklaroi se i ka dorëzuar në gjykatë mbi shtatë raporte, të cilat sipas tij, janë refuzuar me arsyetimin se “e shohim në seancë”.
“Kam bërë kërkesë për zëvendësimin e masës së paraburgimit me masën e arrestit shtëpiak. Që disa muaj ua kam dërguar gjykatës kërkesat, edhe raportet mjekësore, se ai nuk është i aftë me i kuptu sjelljet e veta. Mbi shtatë raporte ia kam dorëzu, por janë refuzuar. Arsyetimi ka qenë hajt se e shohim në seancë të gjykimit edhe e shohim se çka po bëjmë”, tha ai.
“Pa bërë ekzaminim kanë thënë se ai ka qenë i vetëdijshëm. Ua kam dërguar raportin e repartit psikiatrik. Kam kërku edhe ekzaminim psikiatrik. Ai ka qenë i pavetëdijshëm për veprën që ka kryer. Nuk ka qenë i aftë..”, shtoi ai.
Avokati i familjes njoftoi se do të kërkojnë përgjegjësi për këtë rast.
“Ne do të kërkojmë përgjegjësi. Kam biseduar me vëllain e të ndjeri dhe do të bëjmë kërkesë për dëme. Familjarët janë shumë të stresuar për rastin”, tha Elshani për Sinjalin.
Viktima ishte arrestuar më 10 shtator të këtij viti për grabitjen e mbi 20 mijë eurove.