Ministria e Tregtisë dhe Industrisë e pa interesuar që të vë rregull në sektorin e derivateve të naftës sa i përket çmimeve siç e kanë vendet e rajonit. Një gjë të tillë për Gazetën Alo e ka potencuar kryetari i shoqatës së naftarëve, Fadil Berjani dhe vërtetuar nga vetë Gazeta, e cila për më shumë se një javë është duke insistuar nga MTI-ja të marrë informacione rreth kësaj çështje, dhe këta të fundit nuk përgjigjen përkundër premtimit të tyre.
Çmimete derivateve të naftës në Kosovë në krahasim me standardet e vendeve të tjera mbeten të larta dhe përkundër luhatjeve në tregun ndërkombëtar të çmimeve, ato në tregun e Kosovës kryesisht pësojnë vetëm ngritje dhe jo zbritje.
Berjani i tha Gazetës Alo, se për të pas rregull në këtë sektor duhet që të krijohet një rregullator çmimesh siç e kanë vendet fqinje dhe të mbikëqyren në baza dy javore luhatjet e çmimeve.
“Për të pas rregull në këtë sektor, duhet që Kosova sikur shtetet në regjion ta ketë rregullatorin, konkretisht si Maqedonia ku i mbikëqyrë çmimet në treg, ka thënë Berjani.
Berjani më tutje i tha Gazetës Alo, se ata që katër vite i kërkojnë MTI-së që të rregullohet një gjë e tillë por kanë hasur në vesh të shurdhër.
“Ne nga shoqata kemi kërkuar që katër vite që të formohet rregullatori, po deri me tani kemi hasur në veshë të shurdhër. MTI-ja, gjithmonë ka heshtur dhe i vetmi ministër që e ka pranuar rregullatorin që të formohet, ka qenë ministri Bernard Nikaj, por u rrëzua qeveria dhe kjo nuk u arrit të bëhej.
Berjani, përfundoi se e dinë që sipas kushtetutës Kosova është një treg i hapur liberal, por edhe Maqedonia është e tillë, dhe sipas tij, ne ende jemi larg Bashkimit Evropian, dhe ia vlen të kemi një rregullator të tillë.
Gazeta Alo, ka më shumë se një javë që vazhdimisht kontakton Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë, për të marrë një përgjigje rreth kësaj çështje, por MTI-ja nuk është përgjigjur përkundër premtimit të tyre që do ta bëjnë një gjë të tillë./Gazeta Alo