Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli dje ka deklaruar se përflitet të ketë pasur raste kur është ndalur me qëllim prodhimi i rrymës në blloqe për interesa të caktuara. Ndaj personave që pretendohet se kanë bërë këtë veprim, deputeti i LVV-së Mefail Bajçinovci thotë se duhet të merren masa dhe të ketë spastrim të menjëhershëm.
Këtë koment deputeti i LVV-së, Mefail Bajçinovci e ka bërë në profilin e tij në Facebook.
“Duhet të merren masa ndaj sabotuesve në KEK. Duhet spastrim i pamëshirshëm dhe i menjëhershëm”, ka shkruar Bajçinovci në FB, transmeton Express.
Dje gjatë raportimit në Komisionin për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Rizvanolli tha se ndalimi i blloqeve është bërë për arsye se dikujt i konvenon që blloku të ndalet e të ndizet prapë për shkak të lëndës së parë që duhet të blihet shtesë.
“Ka pasur raste në të kaluarën kur është përfolur që edhe për arsye se dikujt i konvenon që blloku të ndalet e të ndizet prapë për shkak të lëndës së parë që duhet të blihet shtesë, përflitet dhe janë thashetheme që nuk mund t’i them me saktësi, që janë ndalë blloqet për shkak të neglizhencës, ose gabimit njerëzor me qëllim, ka ardhur deri tek ndalja e një blloku bë mënyrë që të ketë përfitime të tilla. Ne në fakt kemi pasur një dyshim, në radhë të parë Bordi i KEK-ut, që një gjë e tillë ka mundur të ndodhë edhe gjatë verës dhe ka pasur raportim në polici dhe në hetuesi në të kaluarën”, ka thënë ajo.
Lidhur me deklaratat e ministres, Express ka tentuar të marrë një përgjigje nga KEK-u por deri në publikimin e këtij shkrimi gazeta nuk ka pranuar përgjigje nga zyra për informim e KEK.
Kosova së fundmi është prekur nga kriza energjetike. Kryeministri Albin Kurti ditë më parë në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës u ka bërë thirrje ministrave që të ndërmarrin veprimet e nevojshme që të sigurohet rryma për qytetarët.