Ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli duke folur për situatën energjetike në vend, ka thënë se reduktimet e rrymës mund të ndërpriten atëherë kur të kthehet në funksion Blloku B2 i KEK’ut, dhe kur Shqipëria të fillojë të prodhojë rrymë më shumë, nëse atje shtohen të reshurat atmosferike.
Ajo thotë se kthimi i bllokut “B2” dhe situata e reshjeve në Shqipëri mund ta nxjerrin Kosovën nga kriza.
“Mund të shpresojmë te përmirësimi i gjendjes atmosferike në Shqipëri në mënyrë që kur ata të plotësojnë nevojat e tyre të na huazojnë energjinë në formë të këmbimit e jo me tarifa të tregut, në mënyrë që ne mund t’ua kthejmë në një kohë kur kemi prodhim më shumë”, deklaroi Rizvanolli.
Por, sa janë këto pritje reale?
Blloku B2 edhe mund të kthehet në funksion, pavarësisht se nuk nuk dihet nëse kjo do të ndodhë shpejtë apo jo. Por varja e shpresave se Shqipëria mund të na huazojë energji elektrike që atë të ia kthejmë pastaj verës, duket më shumë iluzon. Po flasim për huazim të energjisë elektrike, në një kohë kur e gjithë Europa po përballet me një krizë të tillë, dhe çmimi i saj ka prekur majat si kurrë më parë. Atëherë, cili do të ishte interesi i Shqipërisë që t’i huazojë Kosovës energji elektrike, kur atë mund ta shesë në tregun ndërkombëtar me çmimin më të volitshëm ndonjëherë. Pra, nga kjo mund të konstatojmë, se ky dimër për Kosovën do të jetë shumë i rëndë, dhe me reduktime të rrymës sikur në dekadën e parë të pasluftës.