Imzot Dodë Gjergji e ka cilësuar si fyerje për besimtarët katolikë faktin se Kuvendi e ka miratuar projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërprerjen e Shtatëzanisë pikërisht në festën e Krishtlindjes.
Ai në fjalimin e tij në meshën e Krishtlindjes, mbrëmë në Katedralen “Shën Nënë Tereza”, tha se është e trishtueshme miratimi i ndërprerjes së jetës të atyre që akoma nuk kanë lindur.
“Çka është edhe më e trishtueshme miratojnë ndërprerjen e jetës së palindurve dhe këtë akt e quajnë të drejtë, por edhe për turpin e tyre e për të fyer ndoshta edhe neve, parlamenti e gjeti që bash sonte ta miratonte Ligjin për Abortin”.
“Ne nuk e humbim shpresën tonë dhe këmbëngulim që të jemi ata që besojnë dhe shpresojnë dhe që i binden fesë që e duan jetën dhe që për dashurinë për jetën nuk do të ndalen kurrë të pushojnë duke e ngritur zërin për të”, ka thënë ai.
Deputetët e Kuvendit të Kosovës kanë miratuar dje, në mesin e disa projektligjeve, edhe Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Ndërprerjen e Shtatëzanisë.