Fjalë Kyçe

Odaloviq nuk lejohet të hyjë në Kosovë, Kurti kishte kërkuar të largohej nga delegacioni serb në dialog

Odaloviq nuk lejohet të hyjë në Kosovë, Kurti kishte kërkuar të largohej nga delegacioni serb në dialog

Kryetari i Komisionit për Persona të Zhdukur në Qeverinë e Serbisë, Veljko Odaloviq, sot nuk është lejuar të vijë në Kosovë, shkruan portali serb, “Kossev”.

Odaloviq, i cili siç raportohet, planifikoi të takohej me përfaqësuesit e familjeve të serbëve të zhdukur nga Kosova, është ndaluar nga Policia e Kosovës në kufi.

As Veljko Odaloviq, e as Andin Hoti si përfaqësues për personat e zhdukur në Kosovë nuk morën pjesë në takimin e organizuar në Graçanicë nga koordinatorja e Shoqatës së Familjeve të Personave të Rrëmbyer dhe të Zhdukur, Silvana Marinkoviq dhe përfaqësuesi i Qendrës Burimore për Persona të Zhdukur, Negovan Mavriq.

Ndërsa Odaloviq raportohet se nuk u lejua të hynte në Kosovë, “Kossev” raporton se Hoti nuk pranoi të merrte pjesë në takim pasi në ftesë shkruhej “Kosovë e Metohijë”.

Kryeministri Albin Kurti, pas takimit të tij të parë me presidentin serb, Aleksandar Vuçiq, kishte kërkuar që Odaloviq të largohej nga delegacioni serb transmeton express.

“Për çështjen e të pagjeturve, të të zhdukurve me dhunë, duhet larguar nga pozita që ka dhe duhet marrë në pyetje kreun e delegacionit serb, z. Veljko Odaloviq, i cili në vitet 1997-1999, ishte ‘naçelnik (shefi) i qarkut të Kosovës’, dhe udhëhiqte me Kosovën e okupuar bashkë me z. Zoran Angjelkoviq”, kishte deklaruar Kurti.