Partia Demokratike e Kosovës e ka shpëtuar kryetarin e Komunës së Podujevës, Shpejtim Bulliqin, nga zgjedhjet e jashtëzakonshme. Këshilltar komunal i kësaj partie, Hilmi Hoxha, është zgjedhur sot kryetar i Kuvendit Komunal.
Asamblistët e Komunës së Podujevës, sot kanë votuar për kryetarin e Kuvendit të tyre.
Hilmi Hoxha, këshilltar komunal i Partisë Demokratike të Kosovës, ka marrë votat e nevojshme për të qenë në krye të Kuvendit të Podujevës, në raundin e tretë, në një votim të fshehtë.
Në votim kanë marrë pjesë 19 këshilltarë komunalë, prej tyre, 19 kanë qenë pro. Në votim nuk kanë marrë pjesë asamblistët e LDK-së dhe dy këshilltarë të AAK-së.
Gjatë seancës së sotme, kandidatja e Lëvizjes Vetëvendosje, Adelina Stublla është tërhequr nga gara, pasi në dy raundet e para dje nuk i kishte votat e mjaftueshme për kryesuese të Kuvendit, përcjell express.
Asambleja e Podujevës edhe para dy javësh kishte tentuar ta votonte kryetarin e Kuvendit, por kjo kishte dështuar për shkak të mungesës së kuorumit.
Me zgjedhjen e sotme të kryetarit të Kuvendit Komunal në Podujevë, janë evituar zgjedhjet e jashtëzakonshme.