Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka thënë se partia e tij e sheh si të papranueshëm mbajtjen e referendumit kushtetues të Serbisë në Kosovë.
Ai tha se edhe praktikat ndërkombëtare janë të njohura për çështje të tilla dhe tha se duhet mbështetur respektimi i normave të tilla, njofton Klan Kosova.
“Lidhja Demokratike e Kosovës e sheh të papranueshëm mbajtjen e çfarëdo referendumi të një shteti tjetër në territorin e Republikës së Kosovës. Kushtetuta e Kosovës, ligjet e Kosovës dhe praktikat ndërkombëtare, janë të qarta në këtë drejtim. Prandaj ne presim dhe mbështesim respektimin e këtyre normave në plotni”.
Sikur LDK-ja edhe PDK-ja dhe AAK-ja kanë mbështetur vendimin e Qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e këtij referendumi, duke e konsideruar si shkelje të sovranitetit të vendit.
Qeveria e Kosovës ka thënë se qytetarët e Serbisë në Kosovë mund të votojnë për këtë referendum të Serbisë përmes postës ose Zyrës Ndërlidhëse.
Pak më parë, shtetet e Quint-it i kanë bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që ta lejojë këtë proces përmes OSBE-së. Për këtë temë, aktualisht në Presidencë janë duke folur presidentja e vendit, Vjosa Osmani, kryeministri Albin Kurti dhe ambasadorët e vendeve të Quint-it.