Fjalë Kyçe

I skadoi kontrata me RTK-në, seriali “Çka ka Shpija” pas 8 sezoneve përfundon së transmetuari në televizionin publik

I skadoi kontrata me RTK-në, seriali “Çka ka Shpija” pas 8 sezoneve përfundon së transmetuari në televizionin publik

Pas tetë sezonesh transmetimi në RTK, javë më parë, ka përfunduar kontrata vjetore e televizionit publik me prodhuesit e serialit “Çka ka Shpija”. Kësaj here, gjasat që marrëveshja me RTK-në të rinovohet edhe me tutje, siç ka ndodhur nga viti 2014 kur ka nisur sitcom-i, duken se janë shumë pak.

Seriali me aktorët Naser Rafuna, Gresa Pallaska, Dardan Gashi, Teuta Krasniqi, etj., në kastin e tij, arriti të mbledhë audiencë masive në transmetimet e tij në “prime time” të RTK-së e miliona klikime tjera në platformën “Youtube”.

Marrëveshja vjetore e prodhueseve të serialit me televizionin publik, ka përfunduar në fund të vitit që lamë pas.

E gjasat që ajo të vazhdohet, duken të vogla, shkruan Gazeta Online Reporteri.net. Ndonëse, për momentin transmetimi i “Çka ka Shpija” në RTK konsiderohet zyrtarisht vetëm i pezulluar, pasi bordi i ri i televizionit publik nuk e ka aprovuar buxhetin e propozuar nga menaxhmenti aktual i RTK-së.

Episodi i fundit i këtij seriali në RTK është transmetuar gjatë netëve festive të vitit të ri, dhe përkundër se me të hyrë në vitin 2022 serialit i ka përfunduar kontrata me RTK-në, në kanalin e RTK-së në Youtube, në fillim të këtij viti, më 8 janar, është lëshuar një promo paralajmëruese e episodit të ri.

Reporteri.net ka provuar të marrë përgjigje nga menaxhmenti aktual i televizionit publik, por, pa ndonjë rezultat.

Ngadhënjim Kastrati, Drejtor i Përgjithshëm në RTK, refuzoi të flasë me gazetën, duke thënë se ndodhet në pushim mjekësor dhe rekomanduar që për çështjen e kontratës me “Çka ka shpija” të kontaktohet drejtori i RTK1, Festim Kabashi.

Edhe ky i fundit nuk ka dhënë përgjigje.

I kontaktuar nga Gazeta Online Reporteri.net, autori i serialit dhe njëherit personazhi kryesor i “Çka ka shpija”, Naser Rafuna, ka konfirmuar përfundimin e kontratës me RTK-në.

Por, sipas tij, kjo ndodhë çdo vit dhe ai pret që t’i vazhdohet sikur ka ndodhur për 8 sezone rresht.

Rafuna, që në serial paraqitet në rolin e Xhekut, gjithashtu tha se RTK deri tani ka qenë korrekte me gjithçka që kishte të bënte rreth serialit “Ça ka shpija”.

“Kontrata zakonisht përfundon në fund të vitit dhe e vazhdojnë, kështu ndodh gjithmonë, nuk di nëse do ketë ndodhur diçka për mos me u vazhdu. RTK është treguar korrekte me ne”, tha Naser Rafuna javën që shkoi për Gazetën.