Fjalë Kyçe

MSh e demanton deputetin e PDK-së: Nuk ka asnjë vaksinë me afat të skaduar në stoqe

MSh e demanton deputetin e PDK-së: Nuk ka asnjë vaksinë me afat të skaduar në stoqe

Ministria e Shëndetësisë e ka demantuar deputetin e Partisë Demokratike të Kosovës, Bekim Haxhiu, i cili tha se janë rreth 135 mijë vaksina anti-COVID të cilave u ka skaduar afati.

Në një përgjigje për Sinjalin, nga kjo ministri kanë thënë se në stoqet e vaksinave kundër koronavirusit, në të cilat janë rreth 500 mijë vaksina, nuk ka asnjë vaksinë me afat të skaduar.

Sipas MSh, nuk ka asnjë vaksinë me afat të përdorimit më të shkurtër se 1 qershori i vitit 2022.

“Në stoqet e vaksinave kundër COVID-19 të MSh-së nuk ka asnjë vaksinë me afat të skaduar të përdorimit. Kosova ka në dispozicion rreth 500,000 doza të vaksinës kundër COVID-19 dhe asnjë prej vaksinave në stokun aktual nuk ka afat më të shkurtër të përdorimit se data 1 qershor, 2022.”

“Një numër i vaksinave të cilat kanë pasur afat përdorimi deri më 31 janar 2022, janë administruar me kohë dhe nuk ka vaksina në stok me afat të shkurtër të përdorimit, aq më tepër me afat të skaduar”, thuhet në përgjigjen e kësaj ministrie.

Me këtë rast, Ministria e Shëndetësisë u ka bërë thirrje qytetarëve që të vaksinohen dhe “të mos dekurajohen nga informatat e pasakta të dhëna nga persona që nuk janë pjesë e procesit të vaksinimit”.