Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj ka reaguar përsëri për planifikimet për inskenimin e një krize humanitare në veri të vendit.
Përmes një postimi në Facebook, Haradinaj ka thënë se institucionet kanë ndërmarrë veprime konkrete për ndalimin dhe luftimin e të gjitha aktiviteteve të jashtëligjshme.
Sipas tij asnjë skenar mashtrues ose i rremë nuk do të ndikojë që institucionet e Kosovës të heqin dorë nga misioni i tyre.
“Institucionet e zbatimit të ligjit kanë ndërmarrë veprime konkrete në parandalimin dhe luftimin e të gjitha aktiviteteve të paligjshme ndërkufitare në zonën e rripit të gjelbër që kufizon në pjesën veriore Kosovën dhe Serbinë. Asnjë skenar mashtrues ose lajm i rremë nuk do të ndikojë që institucionet kredibile dhe të ligjshme të Kosovës të heqin dorë nga misioni i tyre për zbatimin dhe sigurimin e sundimit të ligjit në të gjitha pjesët e Kosovës, përfshirë zonën e rripit të gjelbër në veri ku edhe kufizohet Republika e Kosovës me Serbinë”, ka thënë Haradinaj.