Komuna e Prishtinës ka njoftuar se pas nënshkrimit të kontratës emergjente për trajtimin e qenve endacakë për këtë vit, ka filluar zbatimi i kontratës që nga fillimi i kësaj jave.
Sipas komunës po trajtohet një numër i konsiderueshëm i qenve endacakë të koncentruar rreth Parkut të Gërmisë.
Kontrata është firmosur më 18 janar.
“Kontrata siguron vazhdimin e trajtimit të tyre, përfshirë kapjen, sterilizimin vaksinimin dhe lëshimin (metoda KSVL), por edhe kontrollin, ushqimin, identifikimin dhe hospitalizimin e qenve. Gjithashtu, është marr vendimi që nga numri ekzistues prej pesë pikave ushqyese, në afat prej 7 ditëve të rritet numri në njëzetë e tri pika, me mundësi zgjerimi, gjithherë bazuar në nevojat konkrete”, thuhet nga Komuna.
Sipas Komunës së Prishtinës, kryetari Përparim Rama, ka thënë se ka filluar koordinimin me gjithë palët e interesuara për të filluar procesin e zgjidhjes përfundimtare.
“Është zhvilluar një strategji e brendshme, e cila do të diskutohet me akterët institucional po ashtu edhe me organizatat joqeveritare dhe individët e organizatat profesionale, në mënyrë që strategjia të jetë e pranueshme për të gjithë. Janë iniciuar procedurat e hapjes se një Qendre për trajtimin e qenve. Kjo qendër do të ofrojë shërbime për trajtimin jo vetëm të qenve endacak, por gjithashtu edhe kujdesin, trajnimin, socializimin e qenve me pronar. Janë zhvilluar takime me nivelin qendror të qeverisjes në mënyrë që aspektet koordinuese me këtë nivel të thellohen, pasi qe ky koordinim dhe bashkëpunim është i domosdoshëm në mënyrë qe strategjia dhe qasja ndaj qenve endacak te rezultoi e suksesshme, në veçanti sa i përket projektit të regjistrimit me vathë e mikroçipa të qenve, por edhe kontrollit te mbarështimit, riprodhimit, si dhe organizimit të fushatave për vetëdijesim” thuhet nga Komuna.
Komuna e Prishtinës të premten organizon tryezë me përfaqësuesit e BE-së, organizatat joqeveritare dhe akterë të tjerë profesional të fushës mbi strategjinë kornizë për trajtimin e qenve endacak.