Policia e Kosovës ka bërë të ditur se në orët e para të së martës, ka marrë informacionin se në fshatin Kurillovë të Vushtrrisë pesë persona me veturë të tyre kanë mbetur të bllokuar nga bora.
Policia ndonëse ishte nisur për në fshat për t’i ndihmuar ata, nuk ka arritur të afrohet për shkak të reshjeve të vazhdueshme të borës. Për këtë arsye ka ftuar kompaninë për mirëmbajtjen e rrugëve që ta hapë rrugën, dhe më pas është arritur të lokalizohet vetura.
“Një angazhim i tillë i zyrtarëve policorë është dëshmuar edhe gjatë natës së kaluar në Vushtrri, ku rreth orës 03:00, të datës 8 shkurt 2022, policia kishte pranuar një informacion se pesë persona me veturën tyre kanë mbetur të bllokuar nga bora në rrugën e fshatit Kurillovë të Vushtrrisë. Njësitet policore, menjëherë janë nisur në drejtim të fshatit Kurillovë që gjendet në një zonë malore dhe një largësi të konsiderueshme nga qyteti i Vushtrrisë. Për shkak të kushteve atmosferike dhe reshjeve të vazhdueshme të borës, gjatë rrugës kanë hasur vështirësi për t’ qarkulluar më tutje. Për të arritur në lokacionin ku ndodhej vetura dhe personat, policia ka ftuar kompaninë për mirëmbajtjen rrugëve që të hapë rrugën, më pas policia kanë arritur t’i gjejnë personat të cilëve u ka ndihmuar të kthehen në qytetin e Vushtrrisë”, thuhet në njoftimin e Policisë.