Largimi i Cristiano Ronaldos nga Real Madridi dhe shkuarja te Juventusit ishte një operacion, që i bëri të lumtura të gjitha palët.
Kështu mendon dhe këmbëngul ish-bashkëlojtari i yllit portugez, Toni Kroos. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” pati një eksperiencë të gjatë e të suksesshme me të bardhët në La Liga, por edhe në Europë.
Ai e ndihmoi Real Madridin të fitonte tre Champions radhazi, çka nuk e ka bërë askush tjetër më parë. Verën e vitit të kaluar, CR7 kaloi te kampionët e Serie A, ku e nisi me titullin e parë atje.
“Los Blancos” e vuajtën shumë largimin e tij, në sezonin e kaluar, ndaj u detyruan të kthejnë në drejtim Zidane, pas dështimit të Lopetegui dhe Solari.
Sidoqoftë, e mbyllën në vendin e tretë të La Liga-s dhe pa asnjë trofe. Duke folur për “SportBild”, Kroos pranoi se nuk ishte e çuditshme që Real Madridi e vuajti largimin e portugezit, por shtoi se kjo lëvizje ka pasur përfitimet e veta për të gjitha palët.
Marrëveshja ka qenë fitimprurëse:
“Do të ishte e çuditshme, nëse nuk do të ndihej mungesa e dikujt, si Cristiano Ronaldo, i cili ka dhënë aq shumë me golat e panumërt të tij, që ka vendosur fatin e sa e sa ndeshjeve të Realit.
Transferimi i tij, megjithatë, i bëri të gjithë të lumtur. Ai donte një përvojë të re dhe Real Madridi fitoi shumë para.”