Presidentja Vjosa Osmani për herë të parë ka folur për shkrimet e bashkëshortit të saj Prindon Sadriu në raport me mediat.
Osmani thotë se Sadriu asnjëherë nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje kriminale.
“Ai e qartëson shumë mirë, që në asnjë moment nuk i ka quajtur mediat ‘ndërmarrje kriminale’. Mjafton bre ta lexojnë. Mjafton ta lexojnë. Nuk i ka quajtur mediat ndërmarrje kriminale, mjafton ta lexojnë”, tha Osmani për RTK-në.
Prindon Sadriu, bashkëshorti i Presidentes Vjosa Osmani, natën e së martës nëpërmjet një shkrimi në llogarinë e tij në Facebook, i quajti mediat si “ndërmarrje e përbashkët kriminale”.
Një gjë e tillë ndodhi pasi, në media u publikua lajmi se Vjosa Osmani përgjatë kohës sa ishte deputete e Parlamentit, përgjatë viteve 2011-2014 ishte kompensuar me rreth 4 mijë euro nga shteti për rrugëtimin e saj nga Mitrovica, ndonëse jetonte në kryeqytet.
Ndërkohë Qendra Evropiane për Lirinë e Shtypit dhe Medias (ECPMF), së bashku me disa organizata të tjera mediatike, të shoqatave dhe sindikatave, i kanë shkruar letër Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani dhe Kryeministrit, Albin Kurti, duke bërë thirrje që t’i japin fund përdorimit të gjuhës diskredituese dhe denigruese që po i atakon gazetarët.