Fjalë Kyçe

15 vjeçarja ruse mund të përjashtohet nga Lojërat Olimpike pasi rezultoi pozitive në testet anti-doping

15 vjeçarja ruse mund të përjashtohet nga Lojërat Olimpike pasi rezultoi pozitive në testet anti-doping

Patinatorja ruse, Kamila Valieva, mund të përjashtohet nga Lojërat Olimpike Dimërore, pasi doli pozitive për një substancë të ndaluar.

15 vjeçarja tashmë ka fituar garën ekipore të patinazhit artistik për Komitetin Olimpik Rus këtë javë, por ceremonia e medaljes u vonua për “arsye ligjore”.

Që atëherë doli se Valieva kishte rezultuar pozitive për trimetazidine, e cila përdoret për trajtimin e anginës dhe vertigos, por është në listën e substancave të ndaluara të Agjencisë Botërore Anti-Doping, sepse mund të ndihmojë në përmirësimin e qëndrueshmërisë dhe rritjen e rrjedhjes së gjakut.

Është zbuluar se Valieva doli pozitive më 25 dhjetor në kampionatin vjetor të patinazhit të figurave të Rusisë në Shën Petersburg. Por ajo u lejua të udhëtonte në Pekin për të konkurruar në Lojërat Olimpike Dimërore pasi mostra e saj u analizua nga një laborator të martën – një ditë pasi ajo fitoi një medalje të artë.

Komiteti Olimpik Ndërkombëtar ka kundërshtuar vendimin për të lejuar Valievan të konkurrojë dhe një vendim do të merret tani nga Gjykata e Arbitrazhit për Sport, raporton Guardian, transmeton Klankosova.tv.

Në një deklaratë të lëshuar të premten, Komiteti Olimpik Rus këmbënguli se Valieva kishte kaluar ‘në mënyrë të përsëritur’ testet e dopingut, para fillimit të Lojërave Olimpike Dimërore. Ata janë gjithashtu të bindur se Valieva do të vazhdojë të konkurrojë në Lojërat Olimpike Dimërore nëse Gjykata e Arbitrazhit për Sport nuk vendos kundër saj.