Fjalë Kyçe

Duda Balje për shpenzimet e naftës: Zv.ministrat marrin rrogë sa deputetët dhe i kanë veturat zyrtare 24 orë

Duda Balje për shpenzimet e naftës: Zv.ministrat marrin rrogë sa deputetët dhe i kanë veturat zyrtare 24 orë

Deputetja e Kuvendit të Kosovës, Duda Balje, dje ka folur për publikimin e raportit të shpenzimeve të deputetëve.

Raporti i shpenzimeve të udhëtimit të deputetëve, ka nxitur mjaft reagime tek opinioni, gjë që kishte bërë edhe deputeten Balje të reagonte në Facebook, ku kishte kërkuar nga kryetari i Kuvendit, Glauk Konjufca, të sqaronte se të gjitha shpenzimet e deputetëve janë në përputhje me rregulloren e Kuvendit.

Duda Balje ka deklaruar dje në emisionin “Oxygen” se ajo është e gatshme të heq dorë nga kompensimi i shpenzimeve të udhëtimit për deputetë, por ka thënë se kjo duhet të bëhet përmes shfuqizimit të kësaj rregullore.

Tutje, ajo ka thënë se nuk ndihet se ka bërë diçka të kundërligjshme, pasi që ajo udhëton për çdo mëngjes nga Prizreni për në Prishtinë.

Deputetja ka theksuar se rrogë të ngjashme me atë të deputetëve marrin edhe zëvendësministrat, por se i kanë në shfrytëzim veturat zyrtare për 24 orë.

“Të themi të drejtën, shumë transparent, për shembull një zëvendësministër ka rrogën e njëjtë me të deputetit, por ka veturën 24 orë. Për shembull me krahasu Parlamentin me Qeveri, 1100 euro paguhet edhe një zëvendësministër, ka veturën 24 orë, ka asistente, ka shoferin e vet, këto ne nuk i kemi. Ministri shumë më shumë, por po flasim për zëvendësministrat. Në Kuvend, një këshilltar i Glauk Konjufcës ka rrogën njëjtë sa një deputet. Unë e di se shumat janë tmerr të mëdhaja për qytetarët e Kosovës që janë duke marrë nga 200-300 euro, por nëse duhet me ndryshu, duhet me ndryshu jo vetëm për ne, por edhe Qeveria edhe ne në Kuvend. Është sistem, unë e di se është shumë, por nëse jemi krejtë që është shumë, qite në tavolinë unë e votoj”, ka thënë Balje, transmeton lajmi.net.

Ajo ka thënë se është e pakuptimtë kur deputetët heqin dorë vullnetarisht nga kompenzimi i shpenzimeve të udhëtimit, duke thënë se ata tashmë janë kompenzuar për muaj të tërë dhe nëse duan të bëjnë një gjë të tillë, duhet ta bëjnë përmes votimit sepse kanë shumicën në Kuvend.