Nuk do të ishte aspak një Olimpiadë Dimërore e qetë për Kamila Valievan. Patinazhistja ruse erdhi në Lojërat Olimpikë Dimërore në Pekin duke vendosur rekorde botërore, pas një viti dominues, duke fituar Kampionatin e Rusisë dhe të Evropës. Ajo ende është vetëm 15-vjeçare dhe shpesh paraqitet në konferencat për media me një lepur lodër në dorë.
Javën e kaluar, ajo ndihmoi ekipin rus ta fitonte medaljen e artë në Lojërat Olimpikë Dimërore që po mbahen në Pekin. Por, ajo nuk e mori asnjëherë medaljen. Pas disa ditëve spekulime, u konfirmua se ajo ka rezultuar pozivite për një substancë të ndaluar.
Valieva është lejuar të garojë për pjesën e mbetur të garave, ku shihet si favorite për të rrëmbyer medaljen e artë, transmeton Gazeta Express.
Rasti ka ngritur pikëpyetje për personat e rritur përreth saj dhe mbi rekordin e Rusisë për doping në garat sportive elitare. Por në qendër të polemikave është një adoleshente që bëri debutimin e saj si seniore vetëm disa muaj më parë.
Problemi i kahmotshëm i Rusisë me dopingun
Rusia është ende e ndaluar për Lojërat Olimpike, megjithatë qindra atletë nga ky vend po marrin pjesë në Olimpiadën Dimërore që po zhvillohet në Pekin.
Njëjtë sikur bashkëkombasit e tyre në Lojërat Olimpike të Tokios verën e kaluar, atletët rusë po garojnë nën emrin: Komiteti Olimpik Rus. Flamuri i Rusisë dhe himni janë po ashtu të ndaluar.
Në vitin 2019 Agjencia Botërore e Anti-Dopingut e ndaloi Rusinë nga pjesëmarrja në garat globale për pesë vite, një dënim i lidhur me një skemë dopingu dhe fshehjeje që ishte ndër më të rëndat në historinë e sportit.
Rusia e apeloi vendimin në Gjykatën e Arbitrazhit të Sportit, që vendosi ta reduktonte dënimin në dy vite. Gjykata pastaj vendosi që atletët rusë që nuk kanë qenë të lidhur me skandalin e dopingut, të marrin pjesë në evente ndërkombëtare, përfshirë Lojërat Olimpike, por si garues neutralë, pa emrin e shtetit, pa himnin dhe pa flamurin.
Gjykata gjithashtu hodhi poshtë disa aspekte të vendimit të agjencisë anti-doping, të tilla si lejimi i zyrtarëve të lartë të qeverisë ruse të marrin pjesë në ngjarje sportive globale nëse ftohen nga kreu i vendit pritës.
Ndalimi i Rusisë nga garat sportive botërore përfundon në fund të këtij viti.