Fjalë Kyçe

Peci: Këtë vit do të ketë rritje të subvencioneve për kulturat bujqësore

Peci: Këtë vit do të ketë rritje të subvencioneve për kulturat bujqësore

“Këtë vit do të ketë rritje të mbështetjes përmes subvencioneve për shumicën e kulturave bujqësore, mirëpo rritjen më të madhe do ta kenë kultivuesit e perimeve me 100 % nga sa ishte vlera e subvencionimit kur morëm nën udhëheqje Ministrinë e Bujqësisë, duke parë potencialin për zhvillimin e mëtutjeshëm të perimtarisë dhe duke krahasuar me importet e prodhimeve bujqësore që hyjnë në Kosovë cdo vit”, kështu e nisi bisedën Ministri i Ministrisë së Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci gjatë takimit me perimtarin nga komuna e Podujevës.

Ministri gjatë kësaj vizite njoftoi se jemi në finalizim të Programit për Pagesa Direkte – Subvencione për vitin 2022 dhe Programit për Zhvillim Rural – Grante që planifikohen të aprovohen gjatë muajit Mars të këtij viti, ku përmes politikave mbështetëse dhe masave përkatëse synojmë të mundësojmë si ngritjen e pikave të reja grumbulluese, ashtu edhe ngritjen e kapaciteteve të tyre.

“Këtë vit do të subvencionojmë 75% të vlerës së Primit të Sigurimit. Subvencionimi i Primit të Sigurimit bëhet për kulturën e mollës, qershisë, misrit, fasules, dardhës, specit, kumbullës, mjedrës, vishnjes, dredhëzës, arrës, rrushit, si dhe për primin e sigurimit “tradicional” bujqësor tek kultura e mollës – pemishte intenzive, specit – kultivimi intenziv dhe rrushit të verës”, shtoi Peci.

Gjithashtu, Ministri i siguroi bujqit se ata nuk do të presin për kompenzim siç kanë pritur rëndom, por do paguajnë vetëm pjesën e tyre pasi që MBPZhR-ja do të kryejë pagesën drejtëpërdrejtë me kompanitë e sigurimit.