Një person është lënduar rëndë, pasi që është goditur nga një veturë në rrugën “Avdullah Bugari”, Rahovec.
Zëdhënësi i Policisë Nysret Xhurkaj ka thënë se deri tek aksidenti ka ardhur pasi shoferi i veturës nuk ka përshtatur shpejtësinë dhe as kushteve të rrugës, dhe ka goditur këmbësorin i cili ishte duke kaluar rrugën.
Xhurkaj bën të ditur se si pasojë e aksidentit, këmbësori ka pësuar lëndime të rënda trupore, saktësisht frakturë në dorën e djathtë, me ç’rast është dërguar në Spitalin Rajonal në Gjakovë.
“Sot rreth orës 18:00, Stacioni policor është njoftuar se në rrugën “Avdullah Bugari” – Rahovec, është një aksident trafiku të përfshira një automjet civil dhe një këmbësor me pasoja – me dëme dhe lëndime të rënda. Deri te aksidenti kishte ardhur derisa i dyshuari kishte qenë duke ngasë automjetin e tij në rrugë dhe kur arrin në afërsi te furra e bukës “ERZA”N nga pakujdesia duke mos ju përshtatur shpejtësisë, kushteve dhe rrethanave te rrugës godet me pjesën e parme te anës së majtë këmbësorin i cili në momentin kritik kishte qenë duke kaluar rrugën, dhe si pasojë viktima merr lëndime të rënda trupore, frakturë në dorën e djathtë, për shkak te lëndimeve viktima ndalet për shërim te mëtejshëm në repartin Ortopedik në Spitalin Rajonal në Gjakovë”, tha Xhurkaj për reporterin.
Ai shtoi se në lidhje me rastin është njoftuar prokurori kujdestar i cili ka autorizuar hetuesit e aksidenteve të bëjnë shikimin e vendit të ngjarjes. Rasti procedohet në mënyrë të rregullt.