Fjalë Kyçe

Vrasja e policit në Zllatar, IPK suspendimin e 15 policëve dhe arrestimin e gjashtë prej tyre

Vrasja e policit në Zllatar, IPK suspendimin e 15 policëve dhe arrestimin e gjashtë prej tyre

Inspektorati Policor i Kosovës ka konfirmuar se janë suspenduar 15 policë dhe janë arrestuar gjashtë prej tyre pas ngjarjes tragjike mbrëmë ku aksidentalisht u vra zyrtari, Lirim Haxholli, teksa bashkë me kolegët ishin në një ndejë private në fshatin Zllatar të Prishtinës.

Nëpërmjet një komunikate IPK njofton se polici i plagosur ishte dërguar për trajtim mjekësor dhe pavarësisht përpjekje të mjekëve i njëjti fatkeqësisht ka vdekur si pasojë e lëndimeve, njofton Klankosova.tv.

“Bazuar në hetimet preliminare fillestare dyshohet se rasti ka ndodhur në një ndejë private ku morën pjesë 15 zyrtarë policorë që të gjithë jashtë detyrës zyrtare. Personi i dyshuar në këtë rast – (zyrtar policor) është arrestuar nga Inspektorati Policor me dyshimin se i njëjti ka kryer veprën penale të vrasje kurse me vendim të prokurorit të njëjtit i është caktuar masa e ndalimit për 48 orë si dhe është suspenduar nga detyra”.

“Me dyshimin se kanë kryer veprën penale të “Shkaktimit të rrezikut të përgjithshëm” dhe “Përdorim i armës apo mjetit të rrezikshëm”, nga Inspektorati Policor janë arrestuar edhe 5 zyrtarë tjerë policorë (që ishin prezent në ndejë) kurse me vendim të prokurorit të njëjtëve u është caktuar masa e ndalimit për 48 orë dhe të njëjtit janë suspenduar”.

“IPK ka rekomanduar Policisë së Kosovës masën e suspendimit edhe për 9 zyrtarët tjerë policorë që ishin prezent në këtë rast”.

Tutje, IPK bën të ditur se bashkë me njësitin e forenzikës dhe njësinë rajonale të hetimeve janë akoma duke bërë vëzhgimin e vendit të ngjarjes në vendin ku ka ndodhur incidenti në konsultim edhe me prokurorin kujdestar që është prezent aty.

Trupi i pajetë i viktimës është dërguar në Institutin e Mjekësisë Ligjore në Prishtinë.