Fjalë Kyçe

Mbi 200 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve

Mbi 200 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve

Sipas të dhënave të Ministrisë së Punëve të Brendshme, por edhe të organizatave të huaja, janë mbi 200 mijë armë ilegale tek qytetarët e Kosovës, raporton Betimi për Drejtësi.

Policia e Kosovës në vazhdimësi konfiskon armë pa leje, ku vetëm gjatë vitit 2021 ka konfiskuar 1 mijë e 280 armë dhe mbi 42 mijë municion.

Në vitin 2020, Policia e Kosovës ka konfiskuar gjithsejtë 1 mijë e 135 armë, në vitin 2019 ka konfiskuar 1 mijë e 439 armë, në vitin 2018 ka konfiskuar 1 mijë e 473 armë dhe në vitin 2017 ka konfiskuar 1 mijë e 211 armë.

Krahas armëve, Policia e Kosovës për pesë vitet e fundit ka arritur të konfiskojë mbi 150 mijë municion, ku në vitin 2021 ka konfiskuar 42 mijë e 31 municion, në vitin 2020 ka konfiskuar 32 mijë e 747 municion, në vitin 2019 ka konfiskuar 30 mijë e 438 municion, në vitin 2018 ka konfiskuar 23 mijë e 941 municion dhe në vitin 2017 ka konfiskuar 26 mijë e 178 municion.

Destan Mustafës, udhëheqës i Divizionit për Armë dhe Municion në DSP, ka thënë se viteve të fundit ka ulje të numrit të armëve ilegale në duart e qytetarëve të Kosovës.

Miratimi i Ligjit për armët dhe organizimi i kampanjave për legalizim janë arsyet që ai përmend që kanë ndikuar në uljen e këtij numri.

“Kosova Ligjin për armët e ka fut në fuqi në vitin 2009, deri atëherë është punuar me rregullore të UNMIK-ut. Që nga hulumtimi i fundit diku në vitin 2004 që kanë rezultuar rreth 360 mijë armë, në hulumtimin e fundit në vitin 2015 kanë rezultuar diku 250 mijë armë ilegale në duart e qytetarëve”.

“Rënia e numrit ka ndikuar sigurisht prej hyrjes në fuqi të Ligjit për armët në vitin 2009, i cili u ka dhënë të drejtë qytetarëve që të posedojnë armë në mënyrë të ligjshme mbi arsyet e sportit, do të thotë rekreacionit dhe gjahut. Tani ky numër rreth 250 mijë është si rezultat edhe më i vogël për shkak të konfiskimeve të përvitshme të armëve nga Policia e Kosovës, armëve dhe municionit, do të thotë Policia e Kosovës konfiskon diku çdo vit rreth 1 mijë e 500 armë dhe municion në sasi të shumta. Kjo ka ndikuar që të ulet paksa numri i armëve ilegale”, tha ai në emisionin “Betimi për Drejtësi”.