Fjalë Kyçe

MPJ-ja i reagon Lavrovit: Po bëhet fushatë e egër ruse kundër Kosovës

MPJ-ja i reagon Lavrovit: Po bëhet fushatë e egër ruse kundër Kosovës

Ministria e Punëve të Jashtme të Kosovës ka reaguar ndaj deklaratave të ministrit të Jashtëm të Rusisë, Sergei Lavrov dhe po ashtu ndaj raportimeve të agjencisë ruse të lajmeve “TASS”.

Në këtë agjenci thuhej se “Kosova dhe disa pjesë tjera të Ballkanit Perëndimor po bëhen terren për krimin”.

Ishte thënë nga Lavrov se po rekrutohen mercenarë në Kosovë e Shqipëri për të luftuar në Ukrainë.

“Ka informacione se mercenarë nga Kosova, Shqipëria dhe Bosnja dhe Hercegovina po rekrutohen për të rrëzuar Rusinë nga ekuilibri, që përfshin dërgimin e tyre në Donbas çnë Ukrainën lindore]. Ne po punojmë për ta verifikuar atë tani”, ka thënë Lavrov.

MPJ-a e Kosovës ka reaguar duke thënë se qytetarët e Kosovës e kanë të ndaluar me ligj pjesëmarrjen në luftëra jashtë vendit të tyre.

Ndërsa MPJ-ja ka thënë se po bëhet fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, me qëllim të tensionimit të situatës në Kosovës dhe më gjerë në rajon përmes Serbisë.

“Bëjmë me dije ministrit rus Lavrov dhe agjencisë e lajmeve ruse TASS, se Republika e Kosovës e ka të ndaluar me ligj (NR.05/L-002 ) pjesëmarrjen e qytetarëve të saj në luftëra jashtë vendit dhe ky ligj parasheh dënime të rrepta për secilin qytetar të saj që mund të jetë pjesë e veprimeve të tilla. MPJD vlerëson se deklaratat e agjencisë së lajmeve TASS dhe ministrit Lavrov janë pjesë e një fushate të egër të propagandës ruse që kanë për qëllim tërheqjen e vëmendjes së gjithë botës demokratike nga ankthi që po krijon politika hegjemoniste dhe e diktatit rus mbi të drejtat e popujve për jetë të lirë e sovrane. Kjo fushatë e egër ruse kundër Kosovës dhe vendeve tjera të Ballkanit Perëndimor, ndër të tjera, ka për qëllim edhe tensionimin e situatës në Kosovë dhe më gjerë në rajon përmes satelitit rus në Ballkan, Serbisë”, është thënë nga MPJ-ja.

MPJ-ja ka thënë se shpreh solidaritetin e popullit të Kosovës për Ukrainën, ndërsa ka bërë thirrje për ulje të konfliktit.

“MPJD shpreh solidaritetin e plotë të popullit të Kosovës me popullin e Ukrainës për të drejtën për jetë të lirë e sovrane në shtetin e tyre. Republika e Kosovës bën thirrje për ulje të tensionit dhe shmangie të konfliktit, i cili mund të marrë përmasa të paparashikueshme. Republika e Kosovës i bashkohet botës demokratike në dënimin e politikës hegjemoniste dhe ekspansioniste ruse në dëm të shtetit sovran e të pavarur të Ukrainës”, thuhet nga MPJ-ja.