Fjalë Kyçe

Çantat e rënda shkollore, deklarohet MAShTI

Çantat e rënda shkollore, deklarohet MAShTI

Tre kilogramë e 940 gramë është pesha mesatare e një çante qe një nxënës i klasës së parë duhet ta bartë çdo ditë për në shkollë.

Megjithatë, pesha e rëndë e çantave nuk është lajm i ri. Një problem i tillë ka vite që ka zënë rrënjë tek fëmijët, sidomos ata që ndjekin klasat fillestare të mësimit të ulët.

Sipas MAShTI-t, ky është një problem i kahmotshëm, por intervenimi i këtij institucioni deri më tani ka qenë vetëm në trajnimin dhe këshillimin e mësimdhënësve që të punojnë në lehtësimin e këtij problemi.

“Si ministri vazhdimisht kërkojmë nga mësimdhënësit dhe DKA-të që të trajnohen për implementim efikas të planprogramit gjatë orëve mësimore, të rishikohet mbarëvajtja e aktiviteteve gjatë orëve të edukatës fizike dhe shkollat të pajisen me dollapë të shfrytëzueshëm dhe të mirëmbajtur” thotë për Indeksonline Iliriana Pylla nga MAShTI.

Sipas Pyllës, MAShTI ka rekomanduar që nxënësit të marrin me vete vetëm pajisjet e domosdoshme shkollore që përcaktohen në orarin ditor të mësimit.

Pylla ka arsyetuar Ministrinë duke thënë se po punon me Strategjinë e Arsimit, të hartuar vite më parë.

“Jemi në hartim e sipër të Strategjisë së re të Arsimit të Kosovës” ka shtuar ajo.

Një strategji e tillë duket larg për prindërit të cilët po shqetësohen çdo ditë e më shumë për shëndetin fizik të fëmijëve të tyre.

Gati 4 kilogramë sa shkojnë e bëhen më të rëndë për një 6 vjeçar mesatar i cili këtë peshë duhet ta bartë deri në katin e katërt, aty ku edhe gjindet klasa e parë të cilën e vijon në një shkollë të Ferizajit.

Prindi i këtij fëmiu, emër i njohur për redaksinë, ka thënë se është shumë i shqetësuar për shëndetin e fëmiut të tij, pasi ngjitja e shkallëve deri në katin e katërt nuk është aspak e lehtë për të.

Ai madje shtoi se kjo gjë është duke ndikuar drejtpërdrejt edhe në punën e tij.

“Jemi tu i çu në shkollë me mësu e jo me pasë pasojë fëmijët… Ne si prindër po mbesim pa punuar, për shkak se duhet vet me i çu fëmijët më mësu e jo me pasë dhimbje ose me u lëndu. Edhe pse po mbes pa punu për shkak të orarit të shkollës, bile mos të kenë fëmijët pasoja shëndetësore. Por duhet me ju bë zgjidhje” ka thënë ai për Indeksonline.

Një shqetësim të tillë, prindi deklaron ta kenë dorëzuar disa herë ai dhe prindër të tjerë në Drejtorinë e Arsimit në Ferizaj.

Gati 4 kilogramë peshë e çantës është përafërsisht sa një e shtata e peshës së trupit të një 6 vjeçari mesatar.

Kjo peshë e madhe në një moshë delikate ndikon edhe në formësimin fizik dhe mirëqenien e fëmiut.

Bashkë me bartjen e kësaj peshe 5 ditë të javës, fëmiut i krijohen deformime të shtyllës kurrizore, deformime këto të përhapura për këtë moshë.

Pikërisht për shkak të çantës së mbushur me materiale shkollore, eshtrat e fëmijëve, që në këtë moshë janë akoma eshtra të butë, fillojnë deformimin.

Problemet e qëndrimit dhe dhimbja e shtyllës kurrizore tek fëmijët rrisin mundësinë për të shkaktuar dëmtime të përhershme të shtyllës kurrizore në vitet në vazhdim.