Kryetari i LDK-së Lumir Abdixhiku dhe ai i AAK-së, Ramush Haradinaj kanë pritur sot në takime ndaras kryetarin e Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferin.
Gjatë dy takimeve është diskutuar për anëtarësimin e Kosovës në NATO.
“Me theks të veçantë biseduam për nevojën e anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe sigurinë rajonale që ky anëtarësim ofron. Vendet e rajonit, anëtare të NATO-s, kanë mbështetur e mbështesin aspiratën tonë për integrim euroatlantik; dhe në këtë moment të ri politik, ky integrim i yni merr edhe më shumë kuptim”, shkruan Abdixhiku në Facebook.
Zhvillimet rajonale politike dhe të sigurisë ishin temat kryesore edhe në takimin e sotëm të kryetarit të AAK-së Ramush Haradinaj me Talat Xhaferin, kryetar i Kuvendit të Maqedonisë Veriore.
“Të dy vendet tona, kanë orientim të qartë euroatlantik, andaj duke e falënderuar për mbështetjen e deritanishme, kërkova mbështetjen e tij dhe Maqedonisë së Veriut për anëtarësimin e Kosovës në organizata ndërkombëtare, veçanërisht në Aleancën Veri-atlantike NATO”, ka shkruar Haradinaj në Facebook.
Kryetari i Kuvendit të Maqedonisë Veriore, Talat Xhaferi, gjatë ditës ka zhvilluar takime edhe me zyrtarë të institucioneve shtetërore, si dhe partive politike.