Ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, ka deklaruar se është duke përcjellur me shqetësim ngritjen e çmimeve të disa produkteve bazë, gjë për të cilën ajo thotë se do të ndjeken penalisht bizeneset që veprojnë kësisoji.
“Me shqetësim kam pranuar njoftimet dhe ankesat për ngritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale. Ministria që unë drejtoj në koordinim me organet kompetente, po marrin masat e duhura sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës, ku ndër ligjet përkatëse është edhe kodi penal i postuar më poshtë” ka shkruar Hajdari në Facebook.
Tutje, ministrja gjithashtu është shprehur se gjendja është nën kontroll dhe se nuk ka vend per panik.
Postimi i plotë:
Të dashur Qytetarë,
Me shqetësim kam pranuar njoftimet dhe ankesat për ngritje të menjëhershme të çmimeve të produkteve ushqimore esenciale.
Ju siguroj se Qeveria Kurti, duke u bazuar në parimet e përgjegjësisë, llogaridhënies, transparencës, barazisë dhe gjithëpërfshirjes, prioritet ka mirëqenien e qytetarëve të Republikës së Kosovës.
Ministria që unë drejtoj në koordinim me organet kompetente, po marrin masat e duhura sipas legjislacionit të Republikës së Kosovës, ku ndër ligjet përkatëse është edhe kodi penal i postuar më poshtë.
I ftoj të gjitha bizneset të veprojnë në mënyrë të ligjshme dhe të ndërgjegjshme, duke u bazuar në konkurrencë të shëndoshë dhe në dobi të qytetarëve, bizneseve dhe shtetit.
Me përgjegjësi të plotë ju them se gjendja është nën kontroll dhe se nuk ka vend per panik.