Fjalë Kyçe

Xhaferoviq, Osmanit: Bosnja e ka regjimin më të ngurtë të vizave me Kosovën

Xhaferoviq, Osmanit: Bosnja e ka regjimin më të ngurtë të vizave me Kosovën

Anëtari i Presidencës së Bosnjë dhe Hercegovinës, Shefik Xhaferoviq, gjatë ditës së djeshme është takuar me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani.

Takimi u zhvillua në margjinat e Forumit Diplomatik të Antalias, ku u diskutua për situatën aktuale politike dhe marrëdhëniet në rajonin e Ballkanit Perëndimor, transmeton Klankosova.tv.

Xhaferoviq tha se nuk ka konsensus të brendshëm për njohjen e Kosovës në Bosnje dhe Hercegovinë, por se kjo nuk duhet të jetë shkak për mungesë komunikimi dhe bashkëpunimi.

Ai theksoi se zyrtarët e Bosnjë-Hercegovinës dhe Kosovës marrin pjesë së bashku në formate shumëpalëshe që kanë të bëjnë me bashkëpunimin rajonal në Ballkanin Perëndimor dhe se komunikimi duhet të përmirësohet në të mirë të qytetarëve.

Anëtari i Bosnjës shtoi se vendi i tij e ka regjimin më të ngurtë të vizave me Kosovën, i cili pengon lëvizjen e lirë të njerëzve, mallrave, kapitalit dhe shërbimeve, transmeton Klankosova.tv.

Lidhur me këtë rast ai tha se është e nevojshme të punohet në liberalizimin e regjimit ekzistues në bashkëpunim me Bashkimin Evropian.

Po ashtu në takim u theksua përkushtimi i përbashkët për zbatimin e marrëveshjes për Tregun e Përbashkët Rajonal, e cila në kuadër të Procesit të Berlinit u nënshkrua në Samitin “Bashkimi Evropian-Ballkani Perëndimor në Sofje”.

Pjesë e këtij takimi ishte edhe ministrja e Jashtme e Kosovës, Donika Gërvalla-Schwarz.