Preisdentja Vjosa Osmani është takuar sërish me presidentin turk, Recep Tayyip Erdogan në Forumin Dimplomatik të Antalisë.
“Edicioni i dytë i Forumit Diplomatik të Antalisë ishte një mundësi e shkëlqyer për të takuar dhe diskutuar me homologë e liderë nga mbarë bota për rëndësinë e aleancave dhe bashkërenditjes së qëndrimeve e veprimeve karshi zhvillimeve të fundit në Evropë dhe jo vetëm. E falënderoj Presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe Ministrin Mevlüt Çavuşoğlu për mikpritjen e delegacionit tonë”, ka shkruar Osmani.
Në mesin e takimeve, Osmani njoftoi se ka biseduar edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
“Pata po ashtu rastin të shkëmbej vlerësime rreth zhvillimeve të fundit edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg”, shkroi presidentja në Facebook.
Postimi i plotë:
Edicioni i dytë i Forumit Diplomatik të Antalisë ishte një mundësi e shkëlqyer për të takuar dhe diskutuar me homologë e liderë nga mbarë bota për rëndësinë e aleancave dhe bashkërenditjes së qëndrimeve e veprimeve karshi zhvillimeve të fundit në Evropë dhe jo vetëm. E falënderoj Presidentin Recep Tayyip Erdoğan dhe Ministrin Mevlüt Çavuşoğlu për mikpritjen e delegacionit tonë.
Në frymë të kësaj, në panelin e liderëve, së bashku me Presidentin e Sierra Leones, Julius Maada Bio dhe Kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, fola për rëndësinë e bashkëpunimit global dhe rajonal për paqen dhe prosperitetin në interes të qytetarëve.
Në kuadër të #ADF2022 u takuam me presidentin e Sllovenisë, Borut Pahor, anëtarin e Presidencës së Bosnje e Hercegovinës, Sefik Dzaferoviq dhe kryeministrin e nominuar të Malit të Zi, Dritan Abazoviq, me të cilët diskutova për zhvillimet në rajonin tonë, rëndësinë e përshpejtimit të rrugëtimit drejt Bashkimit Evropian si dhe intensifikimin e bashkëpunimit rajonal për tejkalimin e sfidave dhe barrierave me të cilat përballemi.
Pata po ashtu rastin të shkëmbej vlerësime rreth zhvillimeve të fundit edhe me sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg.
Po përgjatë këtyre dy ditëve, takuam edhe Presidentin e Guinea Bissau, Umaro Sissoco Embalo, Kryeministrin e Libisë, Abdul Hamid Dbeibeh, Ministren e Shtetit në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Singaporit, Sim Ann, Sekretaren e Përgjithshme të OSBE-së, Helga Schmidt, Sekretarin e Përgjithshëm të Organizatës së Shteteve Turkfolëse, Baghdad Amreyev, me deputetin e Parlamentit Evropian, Ilhan Kyuchyu, si dhe disa përfaqësues të shteteve jo njohëse.
Në të gjitha këto takime, së bashku me Zëvendëskryeministren Donika Gërvalla-Schwarz, potencuam qëndrimin e Republikës së Kosovës në raport me zhvillimet rajonale dhe globale. ADF është shndërruar në platformë të përmasave globale për diskutime përmbajtësore e strategjike, e të cilat u realizuan në një moment tejet të rëndësishëm.