Fjalë Kyçe

Presidentja Osmani: Ekziston rreziku i destabilizimit të rajonit nga Rusia dhe Serbia

Presidentja Osmani: Ekziston rreziku i destabilizimit të rajonit nga Rusia dhe Serbia

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur sot në takim kancelarin e Austrisë, Karl Nehammer, nga i cili mori mbështetje për përshpejtimin e procesit të anëtarësimit të Kosovës në BE.

Sipas njoftimit nga Presidenca, temë e diskutimit tw presidentes Osmani me kancelarin Nehammer ishte edhe agresioni ushtarak rus në Ukrainë dhe efektet e tij në Ballkanin Perëndimor.

Presidentja Osmani ka potencuar rrezikun e destabilizimit të rajonit nga Rusia dhe aleati i saj Serbia, të cilin duhet ta parandalojmë në koordinim me aleatët tanë. Më tej, Presidentja ka theksuar se me agresionin e paprovokuar rus ndaj Ukrainës, siguria në Evropë është kritike.

Osmani ka theksuar se unifikimi i Bashkimit Evropian kundër agresionit rus ndaj Ukrainës duhet të përcillet me veprime të unifikuara të BE-së ndaj Ballkanit Perëndimor për të përshpejtuar anëtarësimin e shteteve të rajonit në BE.

Sipas Presidentes Osmani, qëndrimi i Kosovës për Ukrainën është në përputhje të plotë me qëndrimin e BE-së, SHBA-së dhe të gjitha vendeve demokratike.

Në takim me kancelarin Nehammer, është diskutuar edhe për bashkëpunimin ndërmjet dy shteteve në fusha të interesit të dyanshëm.

Edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot pas takimit me kancelarin austriak ka thënë se presidenti rus Vladimir Putin mund ta shpërndajë luftën edhe diku tjetër pasi nuk mund të ulet në tryezën e negociatave vetëm për shkak të luftës në Ukrainë.

Sipas Kurtit, Ballkani Perëndimor është në rrezik, por thotë se populli është bashkë dhe aleancat me Perëndimin, SHBA-në e NATO-n mbesin të pashkëputura.

“Putini gjatë luftës sonë, ka përmendur Kosovën vetëm një herë në muaj. Ndërsa tani e përmend pothuajse çdo ditë duke tërhequr paralele fallse me Krimenë. Ai i cili kundërshtoi ndërhyrjen shpëtimtare të NATO-s më 1999, dëshiron ta keqpërdor rastin e Kosovës për ta ushtruar hegjemoninë e vet. Jemi të brengosur, por jo të frikësuar. Populli është bashkë dhe aleanca jonë me BE-në, SHBA-në e NATO-n është e pashkëputshme. Presidenti rus dëshiron të ulet në tryezën e negociatave, jo me Zelenskyn, por me Bidenin. Për këtë qëllim, unë kam drojën që do ta intensifikojë luftën në Ukrainës, por edhe ta shpërndajë atë diku tjetër sepse ai nuk mund të ulet dot në tryezën e negociatave vetëm me luftën në Ukrainë. Ballkani Perëndimor është në rrezik, megjithatë këtu veçse po bëhet lufta hibride. Në Nish, është Qendra Humanitare ruse, e cila është mbushur me plotë agjentë rusë. Por ne brengosemi, por s’jemi të frikësuar”, ka thënë Kurti të premten në konferencën për shtyp me kancelarin austriak.

Para pak ditësh, për situatën në Kosovë Gazeta Online Reporteri.net ka pyetur edhe EULEX-in.

Situata e sigurisë në Kosovë është stabile, por mund të ndryshojë shpejt. Kështu tha për Gazetën Online Reporteri.net, Shefi i Misionit Evropian për Sundim të Ligjit në Kosovë.