Fjalë Kyçe

“Risk i madh”, ish-Kryeministri Mustafa për propozimin e tërheqjes 30% të Trustit: Çon në inflacion

“Risk i madh”, ish-Kryeministri Mustafa për propozimin e tërheqjes 30% të Trustit: Çon në inflacion

Ish-kryeministri, Isa Mustafa, thotë se një tërheqje tjetër e mjeteve nga kursimet pensionale mund të destabilizoj vet Trustin. Ai thotë se njerëzit kursejnë për të patur një siguri në të ardhmen, e nëse tërhiqen mjetet nga Trusti, sipas tij, mundet të ketë një tjetër rritje të çmimeve dhe inflacion. Vlerëson se Qeveria ka hapësirë të ndihmojë kategori të caktuara me uljen e tatimeve dhe akcizave.

Lidhur me tërheqjen e mjeteve nga Trusti, ish-kryeministri i Kosovës e njëkohësisht ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka vlerësuar se është shumë delikate një përgjigje rreth tërheqjes së mjeteve nga Trusti pensional, pasi sipas tij njerëzit kursejnë ato para për kohën e pensionit.

“Përgjigja është delikate lidhur me Trustin Pensional. Njerëzit kursejnë për të pasur një siguri për kohën në pension, kur ata nuk mund të punojnë. Nuk kursejnë sot për nesër”, u shpreh Mustafa.

Ndër të tjera, Mustafa ka thënë se një veprim i tërheqjes së parave nga Trusti është veprim me “rrisk të madh”, ku ka vlerësuar se kjo metodë e destabilizon Trusti-n.

“Një herë është shfrytëzuar mundësia e tërheqjes së mjeteve për shkak të pandemisë, tani kjo çështje duhet të mendohet më thellë. Kush do të kujdeset për njerëzit, nëse sot i shpenzojnë kursimet e tyre pensionale, kur ata do të dalin në pension. Është veprim me rrisk të madh. Dhe këso veprime e destabilizojnë Trustin Pensional dhe e rrisin pasigurinë për të ardhmen“, vlerësoi Mustafa në bisedën për Reporteri.net.

Tutje, ish-Kryeministri Mustafa, ekonomist me profesion, përmendi disa nga pasojat që mund të shkaktohen si pasojë e tërheqjes së parave nga Trusti pensional, ku sipas tij nëse ndodhë kjo do të ketë rritje të çmimeve dhe inflacion.

“Prandaj edhe pse e kuptoj nevojën që kanë qytetarët për shkak të rritjes së çmimeve, nuk do të preferoja që të preket Trusti. Edhe një gjë duhet ta kemi parasysh. Nëse tërhiqen mjetet nga Trusti, do të rritet kërkesa në treg por në rrethanat që jemi nuk do të rritet edhe oferta. Kjo do të çojë në rritje të çmimeve dhe në inflacion. Parat e tërhequra do të vlejnë më pak. Qeveria ka hapësirë të veproj me ulje të tatimeve, akcizave, të ndihmojë kategori të caktuara”, tha ai.

Ndryshe, deputeti nga radhët e PDK-së, Bekim Haxhiu ka propozuar javën që shkoi edhe një tërheqje të mjeteve prej 30% nga Trusti, pasiqë sipas të njëjtit qytetarët e Kosovës janë duke u përballuar me një krizë si rezultat i ngritjes së çmimit të Energjisë elektrike si dhe ngritjes së çmimeve të produkteve bazë.

Kryetarja e grupit parlamentar të LVV, Mimoza Kusari-Lila është shprehur se grupi parlamentar I VV-së nuk e mbështesin tërheqjes së mjeteve nga Trust-i pensional.

Ndryshime në ligj lidhur me tërheqjen e mjeteve nga Trust-i ka kërkuar edhe Besnik Tahiri nga radhët e AAK-së.

Në kohën kur Avdullah Hoti ishte kryeministër i Republikës së Kosovës, ishte marrë vendim që nëpërmjet Pakos së Rimëkëmbjes Ekonomike të lejohej tërheqja e mjeteve prej rreth 10% nga Trusti Pensional.

Reporteri.net ka kontaktuar edhe deputetët e LDK-së si dhe kryetarin e kësaj partie, por që të njëjtit nuk janë përgjigjur.