Udhëheqësi i opozitës ruse, Aleksei Navalny, u dënua me nëntë vjet burgim, për mashtrim dhe përbuzje të gjykatës në një burg të sigurisë së lartë të martën, në një gjyq, të cilin kritikët e Kremlinit e shohin si përpjekje për ta mbajtur në burg armikun më të flaktë të presidentit Vladimir Putin për aq kohë sa të jetë e mundur.
Një gjykatës vendosi gjithashtu që Navalny të dënohet edhe me një gjobëprej 1.2 milionë rublash (rreth 11,500 dollarë), raporton Radio Evropa e Lirë.
Navalny mund të apelojë vendimin.
Më herët, gjykata e shpalli fajtor Aleksei Navalny nën akuzat për përvetësim.
Gjykatësja Margarita Kotova e ka lexuar dënimin e tij më 22 mars në një burg jashtë Moskës, ku është duke u mbajtur Navalny.
Prokurorët kishin kërkuar dënim me burgim për 13 vjet.
Navalny e ka kaluar vitin e kaluar në burg për akuza të ndryshme pas kthimit në Rusi nga Gjermania, ku është trajtuar pas sulmit gati fatal me agjent nervor.
“Putini nuk është Rusi” – Navalny bën thirrje për protesta ditore
Navalny fajëson Kremlinin për këtë sulm, mirëpo ky i fundit hedh poshtë akuzat.
Rasti ndaj Navalnyt ka nisur në dhjetor të vitit 2020, nën dyshimet se 45-vjeçari ka përvetësuar para nga Fondacioni i tij Kundër-Korrupsionit.
Hetuesit kanë akuzuar Navalnyn se ka marrë rreth 33 mijë dollarë amerikanë të donacioneve për përdorim personal.
Navalny hedh poshtë të gjitha akuzat dhe i konsideron të motivuara politikisht.