NATO ndihet e rrezikuar dhe do të shtojë në mënyrë domethënëse praninë ushtarake në vendet e Europës lindore.
Lajmin e ka pohuar ambasadorja amerikane në NATO, Julianne Smith, që shtoi se në samitin e kësaj organizate që do të mbahet të enjten në Bruksel do të miratohet shtimi i trupave luftarake në 4 vende kufitare me Ukrainën, pikërisht Hungaria, Rumania, Bullgaria dhe Sllovakia.
Trupat në gatishmëri ushtarake nuk do të jenë vetëm të këtyre vendeve, shtoi Smith, duke nënkuptuar që mes tyre mund të ketë edhe ushtarë nga vende të tjera të NATO-s.
Ambasadorja shtoi se gjatë samitit do të diskutohen të gjitha opsionet e aleatëve, edhe ato më agresive si ato sllovake që propozojnë dërgimin e raketave S-300 të saj në Ukrainë, ose të Polonisë, që propozon krijimin e një force paqeruajtëse në atë vend të goditur nga agresioni rus. “Çdo opsion është në tryezë, asnjë nga këto nuk është përjashtuar në parim”, shtoi ajo, transmeton a2cnn.
Po sot, nga selia qendrore e forcave të NATO-s për Europën (SHAPE), që ndodhet në Bruksel, vijnë sinjale që shqetësimi për të ardhmen e konfliktit të nisur nga Vladimir Putin është i madh.
“Putin dhe rrethi i tij i ngushtë nuk ka asnjë kujdes për jetën njerëzore, nuk i intereson. Putin ka ndryshuar të gjithë retorikën e tij të deritanishme për Perëndimin, ka një urrejtje të madhe ndaj shoqërisë dhe vlerave tona, prandaj ne mendojmë se është shumë i rrezikshëm dhe që aleanca atlantike ndodhet para një kërcënimi real”, deklaroi një zyrtar i organizatës.