E diela në Izbicë do të jetë e dedikuar për sport. Në nderim të 147 martirëve e dëshmorëve të kësaj ane, do të organizohet një garë vrapimi. Gara do të zhvillohet në distancë 14.7 kilometa, shifër simbolike e distancës për 147 martirët e rënë për liri.
Gara i dedikohet edhe 28 marsit, dita e dëshmorëve të Skënderajit. Garuesit do të fillojnë garën në Izbicë, për të vazhduar më pas në Vajnik, Burojë, Vajnik, për të përfunduar tek Memorali i Martirëve në Izbicë.
Masakra e Izbicës hyn në radhën e krimeve më të rënda të shtetit të Serbisë, ku vrasja masive, përdhosja e trupave dhe varrimi i tyre, përmes pamjeve satelitore, u bë lajm botëror.
Masakra ndodhi me 28 mars 1999, kur forcat policore dhe ushtarake serbe, pas rrethimit të mijëra civilëve të fshatit Izbicë dhe vendbanimeve përreth, veçuan 147 burra të rinj dhe pleq, të cilët i vranë dhe i masakruan.