Fjalë Kyçe

Mediat në Veri raportuan për autobusë me protestues me targa të Serbisë, reagon Lista Srpska

Mediat në Veri raportuan për autobusë me protestues me targa të Serbisë, reagon Lista Srpska

Media lokale nga veriu i Kosovës, ‘Kossev’ raportoi se të paktën 10 autobusë me targa të qyteteve të Serbisë janë futur në Mitrovicën e Veriut për t’iu bashkuar protestës së serbëve lokalë. Ndaj këtij raportimi ka reaguar Lista Serbe duke e quajtur si dezinformim.

Përmes një deklaratë të publikuar në Facebook, Lista Serbe thotë se në protestë kanë marrë pjesë vetëm serbë nga Kosova, raporton Gazeta Express.

“Ne dënojmë fuqishëm dezinformimin e publikuar nga portali Kossev dhe mediat tjera shqiptare për arritjen e autobusëve nga Serbia me qytetarë që kanë marrë pjesë në Protestë. Në protestën e sotme poaqësore kanë marrë pjesë qytetarët serbë nga Kosova. Të pavërtetat që po plasohen kanë pasoja të rrezikshme dhe shërbejnë si alibi dhe shkak për përdorimin e dhunës ndaj njerëzve që janë paqësorë dhe shprehin me protesta të drejtat bazike. Ne u bëjmë thirrje qytetarëve që të mbajnë qetësinë dhe të mos bien në provokime dhe gënjeshtra që po ndodhin në këtë moment senzitiv”, thuhet në deklaratë.

Protestat e serbëve në Mitrovicë të Veriut dhe në Graçanicë janë organizuar për të kundërshtuar mosmbajtjen e zgjedhjeve të Serbisë në Kosovë.

Në anën tjetër Shtetet e Quint-it kanë shprehur shqetësim se në protestat e paralajmëruara sot nga qytetarët serbë në veri të Kosovës mund të ketë rrezik për përshkallëzim të dhunës.

Në një deklaratë të përbashkët, shefat e misionit të Francës, Gjermanisë, Italisë, Mbretërisë së Bashkuar, Shteteve të Bashkuara dhe Bashkimit Evropian kanë bërë thirrje që protestat e sotme të jenë paqësore dhe të mos kalojnë në dhunë.

“Qytetarët kanë të drejtën e tubimit paqësor si dhe përgjegjësinë për të siguruar që tubime të tilla të jenë paqësore dhe të mos bëhen të dhunshme. Ndër vlerat tona të përbashkëta demokratike janë e drejta për tubime paqësore dhe për të dëgjuar zërin tonë, të drejta të cilat zbatuesit e ligjit janë përgjegjës për t’i mbrojtur. Forcat e rendit kanë detyrimin për të ruajtur rendin publik dhe duhet ta bëjnë këtë pa cenuar parimet demokratike të fjalës së lirë dhe tubimit”.