Klan Kosova e ka siguruar dokumentin, në bazë të të cilit si duket PSD-ja e mbajti aksionin e sotëm, ku e cilësoi kryeministrin Albin Kurti “veteran të rrejshëm”.
Klani e ka siguruar deklaratën, ku Adem Demaçi, si udhëheqës politik i UÇK-së, bashkë me stafin e tij, ku bënte pjesë Albin Kurti, ‘ndryshuan karakterin’ e kësaj zyre, duke treguar se tash e tutje veprojnë me emrin “Zyra e Adem Demaçit për analiza, propozime e këshilla politike”.
Ky dokument – që shkëput rrugën e Albin Kurtit me UÇK-në – është nënshkruar më 2 mars të vitit 1999, kur edhe po zhvilloheshin bisedimet për tekstin që do të përmbante marrëveshja e dalë nga Konferenca e Rambujesë, nënshkrimin e së cilës e kritikonte fort Adem Demaçi.
Zyra e drejtuar nga Demaçi u ‘dorëhoq’ me arsyetimin se nuk duan të bëhen shkas për fërkime brenda UÇK-së, pasi, sipas tyre, pjesëtarët e UÇK-së që ishin pjesë e delegacionit kosovar në Rambuje kishin braktisur parimet e UÇK-së.
Udhëheqësi politik i UÇK-së insistonte, ashtu siç thuhet edhe në këtë dokument, se “marrëveshja nuk do të sjellë kurrfarë paqe apo lirie në Kosovë, përkundrazi ajo do të sjellë vazhdimin e gjakderdhjes”.
“Zyra e Udhëheqësit Politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës z. Adem Demaçi, ka kryer me nder, përpikëri dhe ndërgjegje të lartë punën, aktivitetin dhe detyrat e veta. Ajo me konsekuencë është bazuar dhe ka ndjekur konceptet, parimet dhe bindjet e veta, të cilat janë materializim i vullnetit politik të popullit të Kosovës të shprehur në Referendumin e shtatorit të vitit 1991. Zyra jonë dhe UÇK-ja kishin parime, ideale dhe koncepte të njëjta. Mirëpo, me daljen në shesh të disa individëve nga radhët e UÇK-së, që po përgatiten të miratojnë marrëveshjen e Rambujesë, punët ndryshuan. Ky numër individësh, në këtë mënyrë, braktisën parimet themelore të UÇK-së dhe obligimin ndaj vullnetit politik të popullit, të shprehur në Referendumin e 1991-tës”, thuhet në këtë dokument.
Dokumenti, i nënshkruar nga Zyra e Adem Demaçit, mbyllet duke thënë se nuk mund ta kapërdijnë këtë marrëveshje, e cila, sipas tyre, është “në kundërshtim me bindjet tona dhe me idenë tonë për jetën e lirë në trojet tona mijëvjeçare”.