Fjalë Kyçe

Hapen 18 pika ushqyese për qentë endacakë në “zonat e rrezikshme”

Hapen 18 pika ushqyese për qentë endacakë në “zonat e rrezikshme”

Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka njoftuar se janë hapur 18 pika të reja ushqyese për qentë endacakë në kryeqytet dhe totali i tyre ka shkuar në 23. Rama ka thënë se vendimi për të hapur pika ushqyese në zona të ndryshme të Prishtinës është marrë në bazë të studimeve, që, sipas tij, kanë treguar se i ndalin sulmet ndaj njerëzve.

“Këtu jemi në njërën prej 18 pikave të reja që do të shërbejnë si pikë ushqyese për qentë endacakë. Në total janë 23 pika ushqyese për qentë endacakë. Arsyeja e intervenimit të menjëhershëm ka qenë për t’i siguruar qytetarët. Në bazë të studimeve, aty ku ka pas pika ushqyese nuk ka pas sulm ndaj njerëzve. Ne vazhdojmë ta analizojmë situatën dhe ta përmirësojmë situatën. Kemi shpall gjendje të jashtëzakonshme në raport me qentë endacakë në Asamble, për me marrë vendime të shpejta. E kemi edhe Rregulloren që i shtyn të gjithë pronarët e qenve t’i regjistrojnë. Çdo qen që është në pronësi, duhet të regjistrohet në mënyrë që pronari të mbajë përgjegjëse në rast se e lëshon qenin pas një kohe. Problemi më i madh është që qentë mbahen të pasterilizuar në shtëpi private dhe më pas lëshohen, dhe ata e kanë aftësinë për shumim”, ka thënë Rama në hapjen e njërës prej pikave ushqyese për qentë endacakë në kampusin e Universitetit të Prishtinës të premten.

Rama ka bërë thirrje që edhe komunat e tjera, po ashtu edhe niveli qendror, të merren me këtë problem.

“Për arsye se vetëm Prishtina merret me këtë problem, e kemi pastaj problem me qentë që po vijnë nga komunat e tjera. Duhet të merren të gjitha komunat me këtë problem, po ashtu edhe niveli qendror”, u shpreh Rama.

I pari i Prishtinës shtoi se janë ndarë 10 hektarë tokë për trajtimin e kafshëve, me fokus të qenve endacakë.

Aty ku gjendet pika e re ushqyese për qentë endacakë në kampusin e UP-së, janë raportuar disa raste të sulmeve ndaj qytetarëve.