Ish-raportuesit të Këshillit të Evropës, Dick Marty në një intervistë për median zvicerane “RTS”, ka thënë se ka 16 muaj që është nën mbrojtje të lartë policore, për shkak të kërcënimeve me jetë, të cilat, siç ka thënë, i vijnë nga “qarqe të caktuara të shërbimeve sekrete serbe”.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Enver Dugolli ka thënë se Shërbimi Sekret Serb, është i njohur për veprime të tilla kriminale për të inkriminuar me çdo kusht shqiptarët.
“Veprime të tilla kanë bërë edhe gjatë luftës (Rasti Panda në Pejë), në mënyrë që t’i implikojnë shqiptarët. Është mirë që organet e sigurisë zyrtare të shtetit zviceran e kanë kuptuar me kohë dhe i kanë ndërmarrë veprimet e duhura për ruajtjen e jetës së z.Marti”, ka thënë Dugolli.
Më tutje, ai thotë se pas kësaj Dick Marty është mirë të reflektoj dhe dëshmoj pse e bëri atë raport në Këshillin e Evropës më akuza tepër të rënda për trafikim organesh.
“Këto akuza të cilat ishin tepër të rënda dhe të pa qëndruara, tani sikur u heshtën! Pse? Se ishin akuza të paqëndrueshme, mjafton të shohim akuzat zyrtare te Prokurorisë Speciale që rëndojnë kundër krerëve të UÇK-së dhe askund nuk mund të shohim pretendimet për veprën e supozuar për trafikim organesh. Shtrohet pyetja, ku mbeti kjo akuzë mbi bazën e së cilës u ngrit edhe gjykata speciale dhe pse u bë”, ka theksuar ai për indesksonline.
Krejt në fund, deputeti i VV-së ka thënë që gëzohet që ai është i sigurt nën mbrojtjen e shtetit zviceran, por ka thënë se beson që ai ua ka borxh shqiptarëve shpjegimin e procesit të nderimit të raportit dhe ngritjen e dyshimeve të pretenduara për trafikim organesh.